Lufta e Bashkisë Tiranë për kontrollin e plehrave fsheh interesa private

08.08.2016 17:05:36

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka kërcënuar me burg dhe ndëshkuar me gjoba grumbulluesit individualë – shumica anëtarë të komunitetit rom – të cilët mbledhin materiale të riciklueshme nga kazanët e plehrave në Tiranë, duke i akuzuar ata si hajdutë dhe shkaktarë sëmundjesh; megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që pas kësaj fushate, në dukje për të mirën publike, fshihen interesat të një kompanie private.

Ilir Heshta pati emigruar në Greqi në fillim të viteve 90’ ku punoi në ndërtim, përpara se të ndalohej nga policia që i dha një urdhër dëbimi. Që prej një viti, 51-vjeçari anëtar i komunitetit rom është kthyer në Tiranë dhe jeton në kampin e barakave në Shkozë, pranë bllokut të banesave sociale.

Babai i tre fëmijëve, Heshta e siguron mbijetesën në Tiranë duke mbledhur shishe plastike të riciklueshme nga kazanët e plehrave; megjithatë, kthimi në atdhe nuk i ka sosur problemet e tij me policinë.

“Një javë më parë policia bashkiake më ndaloi ndërsa po zbrisja te Fresku, më morën thesin me plastikë, duhej të ishin rreth 12 mijë -13 mijë lekë plastikë aty. I kisha mbledhur duke punuar gjatë të gjithë ditës,” tregon Heshta.

“Thesin ma morën, për karrocën iu luta dhe nuk ma morën,” kujton ai, duke shtuar se pyetjes se si mund ta siguronte ndryshe jetesën policët i qenë përgjigjur me të qeshura dhe kërcënimin “mos dil më me mbledh bidonë.”

Historia e Heshtës nuk është e pazakontë. Pasi kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi në qershor se administrata që ai drejton do ta ndalonte rreptësisht riciklimin e mbetjeve urbane nga kazanët e plehrave, rastet e gjobitjes nga Policia Bashkiake të grumbulluesve individualë si Heshta janë shtuar.

Përveç masave administrative të ndërmarra, Bashkia ka bërë dhe një kallëzim penal në prokurori kundrejt atyre që i konsideron si hajdutë të mbeturinave, duke kërkuar burgosjen e tyre për vjedhje.

Megjithatë, ndërkohë që bashkia i gjobit dhe i kërcënon me burg grumbulluesit individualë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se nga muaji shkurt një kompani private e quajtur “3 R” Sh.p.k, ka instaluar një impiant për seleksionimin dhe menaxhimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.

Vendimi i bashkisë për ndalimin e riciklimit të mbetjeve nga kontenierët ka shqetësuar anëtarët e komuniteti rom të cilët përbëjnë dhe pjesën më të madhe të të vetëpunësuarve si kolektorë individualë. Aktivistët e këtij komunitetit i thanë BIRN që vetëm në rajonin e Tiranës vendimi rrezikon të mbyllë mijëra vende pune.

Të shqetësuar janë dhe kompanitë ricikulese vendase, të cilat e sigurojnë lëndën e parë nga grumbulluesit individual. Anëtarë të Shoqatës së Ricikluesve Shqiptarë i thanë BIRN se ndarja e mbetjeve në landfill është e gabuar, për shkak se pasi mbetjet përzihen në kamionë, bëhen pis dhe të rrezikshme për t’u rifutur në treg.

E pyetur nga BIRN se kush po e bënte menaxhimin e mbetjeve në landfill, Bashkia e Tiranës mohoi se aty kishte kompani private.

“Bashkia e Tiranës në vendimmarrjen e saj për përmirësimin e shërbimit të pastrimit, sjelljen e tij në standarde bashkëkohore dhe plotësimin me elemente të tjerë që shoqërojnë këtë proces, është konsultuar me të gjithë aktorët e disponueshëm në këtë aspekt,” tha në përgjigje të shkruar Bashkia.

“Është detyrim i Bashkisë së Tiranës që të sigurojë dhe të garantojë standardet e nevojshme të një shërbimi sa më cilësor në këtë fushë, duke aktivizuar për këtë qëllim të gjitha të drejtat apo detyrimet në funksion edhe të bazës ligjore që rregullon këtë proces,” shtoi ajo.

Kazanët e mbyllur

Sipas një raporti mbi grumbulluesit individual të përgatitur nga qendra mjedisore EPER, në Shqipëri gjenerohen çdo vit 386 mijë ton mbetje të ngurta, ose mesatarisht 126 kilogram për person. Nga këto mbetje, vetëm 17 % vlerësohet se riciklohen për një vlerë që shkon në më shumë se 30 milionë euro në vit.

Në janar 2016, kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkroi një marrëveshje me një kompani publike të bashkisë së Veronës të quajtur AGSM, për menaxhimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës.