Lufta ‘katastrofike’ e Sirisë, 300 viktima e 1400 të plagosur

21.02.2018 18:32:17

Lufta në Siri ka marrë përmasa katastrofike dhe numri i civilëve të vrarë, si pasojë e sulmeve ajrore rritet thuajse çdo ditë.

Një mjek që punon në enklavën rebele siriane të Ghoutas Lindore ka thënë për BBC se situata është “katastrofike” dhe ai beson se bashkësia ndërkombëtare ka braktisur njerëzit që jetojnë atje.

“Ne nuk kemi asgjë , jemi pa ushqim, pa ilaçe, pa strehë”, tha Dr Bassam. Aktivistët thonë se 45 persona u vranë në sulme ajrore të reja qeveritare të mërkurën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve që nga e diela në gati 300.

Kryqi i Kuq po kërkon ndërhyrje urgjente humanitare në rajon. Ushtria siriane thotë se po përpiqet të çlirojë zonën nga terroristët – por gjithashtu është akuzuar për vrasjen masive të civilëve.

Ghouta Lindore është e dominuar nga fraksioni islamik Jaysh al-Islam. Por Hayat Tahrir al-Sham, një aleancë xhihadiste e udhëhequr nga ish-degët e Al-Kaedës në Siri, gjithashtu ka një prani atje.

Sa e keqe është situata në Ghoutan Lindore?

Forcat pro-qeveritare, të mbështetura nga Rusia, intensifikuan përpjekjet e tyre për të rimarrë bastionin e fundit të madh rebel në natën e së dielës.

“Ata synonin gjithçka: dyqane, tregje, spitale, shkolla, xhami, gjithçka”, tha Dr Bassam për BBC të mërkurën.

 

“Ndoshta çdo minutë kemi 10 apo 20 sulme ajrore … Unë trajtoj me ndihmë mjekësore dikë – dhe pas një ose dy ditësh ata vijnë përsëri, të plagosur përsëri.”

“Ku është bashkësia ndërkombëtare, ku është Këshilli i Sigurimit i OKB-së … ata na braktisën dhe na lënë të vritemi”, tha ai.

Cili është numri i të vdekurve?

Kreu i UOSSM, i cili operon me institucionet mjekësore në Ghoutan Lindore, i tha BBC se 45 persona ishin vrarë dhe 250 të tjerë u plagosën vetëm të mërkurën.

Dr. Ahmad Dbis tha se që nga e diela, dhjetë anëtarë të stafit mjekësor dhe vullnetarë u vranë dhe 14 objekte mjekësore dolën jashtë shërbimit, me pesë të shkatërruar plotësisht.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Mbretërinë e Bashkuar vendosi numrin total të vdekjeve që prej të dielës në 296.

Ai tha se bombat me fuçi – kontejnerë të mbushur me eksplozivë dhe shrapnel – u përdorën në sulme qeveritare në qytetet Jisreen dhe Kfar Batna të mërkurën.

Që nga e diela, aktivistët thonë se ka gati 300 të vdekur, më shumë se 60 prej tyre fëmijë dhe të paktën 1,400 njerëz janë plagosur.