Lufta kundër ISIS, Iraku e shpall të mbyllur

09.12.2017 18:42:20

Iraku e shpalli të mbyllur luftën kundër të ashtuquajturit shteti Islamik. Kryeministri Haider al-Abadi tha në një konferencë për shtyp në Bagdad se trupat irakiane kishin marrë kontrollin e plotë të kufirit Irakeno-sirian.

“Armiku ynë donte të vriste qytetërimin tonë, por ne fituam përmes unitetit dhe vendosmërisë. Arritëm të triumfonim brenda një kohë të shkurtër”-ishin fjalët e kryeministrit.

Në zonën kufitare gjendeshin territoret e fundit ende në duart e ISIS-it pas disfatës në qytezën e Rawa-s në nëntor. Njoftimi i kryeministrit irakian vjen dy ditë pasi ushtria ruse tha se e kishte përmbushur misionin e saj të mundjes së Shtetit Islamik në Sirinë fqinje.

Burime ushtarake ruse deklaruan se prania ushtarake e Rusisë do të fokusohet tani tek ruajtja e armëpushimit dhe rikthimi i paqes. Grupi xhihadist pushtoi pjesë të mëdha territori në Siri dhe Irak në vitin 2014, kur shpalli Kalifatin vendosi sundimin e tij mbi rreth 10 milionë njerëz.

Por ai pësoi një seri disfatash përgjatë dy viteve të fundit duke humbur qytetin e dytë më të madh të Irakut, Mosulin në muajin korrik, dhe kryeqytetin de fakto Rakan në veri të Sirisë, muajin e kaluar. Disa luftëtarë të ISIS-it thuhet të jenë shpërndarë nëpër fshatrat siriane ndërsa të tjerë besohet se kanë kaluar kufirin turk.