“Luftë” për ambasadorët, Gjukanoviç refuzon shkarkimin e 7 diplomatëve

05.01.2021 17:39:53

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, refuzoi të nënshkruajë dekretin për tërheqjen e shtatë ambasadorëve dhe kërkoi një shpjegim lidhur me pretendimet “se ata kishin punuar kundër interesave të shtetit”.

“Një vlerësim i tillë meriton një shpjegim. Së pari, për shkak të njerëzve në fjalë. Jo më pak e rëndësishme, për shkak të vendeve pritëse ku ata kryejnë detyrën e ambasadorit. Dhe nuk është e parëndësishme, edhe për shkak të presidentit malazes i cili nënshkroi letra kredenciale duke i rekomanduar ata te krerët e shteteve pritëse”, deklaroi Gjukanoviç.

Ai shtoi se nëse do ta nënshkruante dekretin, kjo do të thoshte se ai pajtohej me ato vlerësime “politike dhe hakmarrëse”

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviç, tërhoqi ambasadorët malazezë: në Kinë, Darko Pajoviç, në Serbi, Tarzan Millosheviç, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dushanka Jekniç, në Vatikan, Miodrag Vllahoviç, në Itali Sanja Vllahoviç, në Bosnjë dhe Hercegovinë, Obrad Misho Stanisiç dhe ambasadoren në Gjermani, Vera Kulish.

Në mes të dhjetorit, qeveria e re malazeze e kryeministrit Zdravko Krivokapiç, propozoi tërheqjen e shtatë ambasadorëve të emëruar nga ish-qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve e presidentit, Millo Gjukanoviç dhe sipas Ligjit për Punët e Jashtme, dekreti duhet të nënshkruhet nga presidenti Gjukanoviç.

Qeveria e re, e zgjedhur më 4 dhjetor, është e para, pas tre dekadash, që nuk udhëhiqet nga Partia Demokratike e Socialistëve. Por përplasja mes qeverisë pro serbe të Podgoricës dhe presidentit ka nisur edhe për sa i përket ligjit për Liritë Fetare.

Ai nuk i ka miratuar amendamentet e Ligjit mbi liritë fetare, ligj ky që është kritikuar nga serbët etnikë dhe Kisha Ortodokse Serbe. Gjukanoviç i ka kthyer amendamentet në Parlament, së bashku edhe me gjashtë ligje të tjera, që u miratuan nga koalicioni qeverisës, tha zyra e tij më 2 janar.

Në total, 41 deputetë të koalicioni qeverisës, që përbëhet nga partitë pro-serbe, kanë mbështetur amendamentet e Ligjit për lirinë fetare gjatë votimit më 29 dhjetor, 2020. Opozita ka bojkotuar votimin e këtyre amendamenteve.

Zyra e presidentit ka thënë se është e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në parlament gjatë votimit. Pas kthimit të Ligjit për liritë fetare nga ana e presidentit, kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiç ka shkruar në Tëitter se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”.

Ndërkaq, zëvendëskryeminsitri Dritan Abazoviç, përmes një postimi në Tëitter, tha se nëse Gjukanoviç “shkel Kushtetutën, do ta zëvendësojmë atë”./ REL