Lui Aragoni ose poeti i shumëfishtë

28.12.2016 09:00:44

Lui Aragoni është një ndër individualitetet më të spikatura dhe më të njohura të poezisë franceze të shekullit XX.
Emri dhe krijimtaria e Aragonit janë të lidhura pashmangërisht me përvojat më gjurmëlënëse të letërsisë franceze të shekullit XX. Ndofta dhe jeta e tij e gjatë 85-vjeçare, për fatin e tij të mirë, por dhe të keq njëkohësisht, i dha mundësinë të përjetojë si njeri dhe si krijues gjithë shpresat dhe zhgënjimet, gjithë arritjet dhe dështimet e shekullit më shpresëdhënës, por dhe më tragjik në historinë njerëzore.

Gjithçka ka qenë e skajshme, me përjetime të përflakura, gati-gati në prag të marrëzisë, në jetën dhe krijimtarinë e Aragonit. Asnjë shkrimtar i shekullit XX nuk ka kaluar nëpërmjet aq shumë përvojave artistike, duke lënë pas kurdoherë gjurmë të qëndrueshme. Tek ai, njëri poet fsheh tjetrin, është shprehur një kritik. Në kërkim e ndryshim të pandërprerë, ai qe dadaist, surrealist, realist socialist, realist ekperimental e ndofta tjetër gjë, deri sa “fjalët e morën për dore …në rrugën e zogjve…”, siç pohon vetë poeti.

Në mënyrë të përmbledhur, itinerari disi marramendës i Aragonit kalon nëpër tri etapa kryesore. Fillimisht ai paraqitet si poet antikonformist e sfidant, duke qenë bashkë me Andre Bretonin ndër figurat më brilante të surrealizmit në Francën e viteve ’20. Pastaj kujtoi se e gjeti të Vërtetën e madhe dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm e vuri për një kohë të gjatë në shërbim të ideologjisë komuniste. “Drita që vinte nga Lindja” ia ngushtoi horizontin. Veç qe ndër të parët që vuri re dhe shprehu në poezinë e tij dramën dhe zhgënjimin e thellë të qindra miliona njerëzve në mbarë botën që besuan si ai në ëndrrën mashtruese, apo në “iluzionin fantastik” të shekullit XX, siç do ta quante më vonë filozofi Edgar Moren idealin komunist. Çuditërisht, poeti që besoi aq shumë, ai që kishte mbrojtur aq hapur dhe me aq pasion “të Vërtetën komuniste”, pranon se ka qenë një “profet i rremë” dhe se “ka humbur rrugë me qindra e mijëra herë”. Tani që ka mbetur “sytokas dhe duarzbrazur”, kërkon të ketë të paktën “të drejtën e dëshpërimit”. Mesazhi i tij i fundit është ai një të mbyturi në “detin tinzar”, të cilit s’i ka mbetur gjë tjetër veç të përpiqet t’i bëjë të tjerët të jenë më syçelët, paçka se e di fort mirë se po lëshon “një shishe në det të hapur” dhe se çdo brez njerëzor paguan kurdoherë çmimin e vet. Pas kësaj poeti kërkon të largohet pa rënë në sy, duke dashur madje të fshijë pas vetes gjurmët e lëna :

Fryni ju erëra të përdëllimit

Fshijeni frymën dhe fjalën time…

E megjithatë, siç shprehet shkrimtari Zhan d’Ormeson, “Aragoni ka bërë të ëndërrojnë miliona lexues në Francë dhe jashtë Francës. Ai u ka mësuar atyre ç’është bukuria, guximi i ideve dhe i formave, forca e pasionit, dashuria. (…) Aragoni i përket tashmë trashëgimisë sonë të përbashkët: ai është një poet i madh francez, ai është një shkrimtar i madh për të gjithë njerëzit e kësaj Toke”.