Lulzim Basha: 13 maji, dita e themelimit të republikës së re

11.05.2017 18:41:24

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në fjalimin e radhës para mbështetësve demokratë të mbledhur në çadër, u shpreh se 13 maji do të jetë protesta më e madhe që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, pasi sipas tij ajo do të jetë një protestë historike që do të themelojë republikën e re.

“Teksa marshojmë bashkë drejt vlerave të Bashkimit Europian, ndiejmë përgjegjësinë që të bashkohemi këtu më 13 maj në një bashkim që do të ketë një emër e do të hyjë në histori si referendumi për republikën e re. Kësaj i trembet republika e vjetër, i trembet kupola kriminale, i trembet krimi. Autostrada referendare e 13 majit do të japë vulën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Basha nuk ka ngurruar t’i përgjigjet edhe deklaratës së drejtpërdrejtë të bërë ditën e sotme nga komisionari për zgjerimin, Johannes Hahn duke u shprehur se shqiptarët i dinë më mirë hallet e problemet e tyre se ca europianë.