Lulzim Basha flet për mosbindje civile, Rama: Pa Vetting s’ka kompromis

26.04.2017 08:37:30

Kreu i Partisë Demokratike në fjalën e mbajtur para protestuesve të mbledhur në çadrën para kryeministrisë ka konfirmuar faktin që negociatat me praninë  e dy eurodeputetëve kanë dështuar për shkak të refuzimit të kryeministrit Edi Rama për qeveri teknike.

Basha akuzoi kryeministrin se duke refuzuar këtë kërkesë të PD refuzon drejtësinë e vërtetë dhe vettingun e vërtetë. Kryedemokrati deklaroi se PD do të vazhdojë qëndresën  e vet, ndërsa paralajmëroi se javën e ardhshme protesta e PD do të marrë një zhvillim të ri me përshkallëzim të mosbindjes civile.

“Për fat të keq përpjekja e 2 negociuesve nuk pati sukses se Edi Rama refuzon qeverinë teknike si zgjidhja e vetme për zgjedhje të lira duke zbatuar ligjin për dekriminalizimin. Duke luftuar drogën dhe paratë e drogës dhe duke garantuar reformën zgjedhore sipas OSBE/ODIHR, – tha Basha. – Ky refuzim ka bazë frikën e Ramës për të lëshuar karrigen dhe garancinë që i ka dhënë përmes karriges krimit të organizuar. Prandaj kusht i panegociueshëm mbetet qeveria teknike për të garantuar zgjedhje të lira. PD angazhohet solemnisht që me qeveri teknike të zbatohet plotësisht dekriminalizimi dhe zbatimi i vettingut.  Edi rama nuk do vetting të vërtetë. Do vazhdojmë qëndresën tonë dhe javën e ardhshme do përshkallëzojmë mosbindjen civile”, tha Basha.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një mesazh në “Facebook”, thotë se mbetet i hapur për dialog, por pa kushte. Sipas Ramës, pa Vettingun s’ka asnjë kompromis.

“Miq! Gjithnjë të hapur për dialog pa kushte. Por pa Vettingun s’ka asnjë kompromis, sepse Drejtësia për Shqipërinë që duam nuk negociohet”.

Reagimi vjen ndërkohë që sonte, palët politike nuk mundën të arrinin një marrëveshje për të dalë nga kriza.