Lulzim Basha: Lekët tona i merr ‘shteti i leshit’. Arrestoni Tahirin, pastaj kapobandën

17.04.2017 12:43:12

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga çadra e ngritur përpara kryeministrisë, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësues të biznesit, akuzoi qeverinë se ka zhvatur çdo kacidhe të mundshme nga xhepat e çdo shqiptari për hir të 10 a 15 individëve që kanë gjithë pushtetin ekonomik dhe politik ne vend.

“Para katër vjetësh tha se 97 për qind e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa. Taksat janë rritur për të gjithë, por sot të gjithë shqiptarët thonë s’ka lekë, ku janë lekët? Një pjesë i mbledhin me faturat e rritura të energjisë, një pjesë me çmimin e ngritur të karburantit që është rritur 240 lekë për litër. Kjo taksë prek këdo, pasi karburantet reflektohen në çmimin e gjithçkaje tjetër. Ku shkojnë paratë? I mbledh ky, shteti, shteti i leshit. Vetëm për tenderin e karburantit këtë vit tenderon 4,4 mld lekë, meqë është vit elektoral. Në lagjet ku jetoni nuk ka asnjë investim, rilindja nuk ka asnjë shkollë të re. Ta dini se sa herë që Rama thotë do bëjmë shtet, e ka fjalën për shtetin e tij të leshit”, tha Basha.

Duke përgëzuar operacionin policor që përfundoi me arrestimin e 18 doganierëve dhe policëve në qafë thanë dhe Durrës lidhur me sasinë prej 8 tonë drogë të kapur disa ditë më parë në Itali, që kishte kaluar nga porti i Durrësit, Basha tha se punonjësit e arrestuar ishin vetëm ushtarë.

Sipas kryedemokratit, kjo vërteton atë që ka thënë gjithmonë PD se, shtetin e drogës e bën vetë shteti, ndaj duhet nisur me arrestimin e Saimir Tahirit dhe duhet të përfundojë me kreun e bandës.