Lulzim Basha ngre në këmbë militantët, i fton në protesta paqësore në çdo rrugë e shesh

30.06.2019 00:22:20

Teksa akuzoi kryeministrin Rama për zgjedhjet farsë të së dielës, kryedemokrati Basha pati edhe një thirrje për të gjithë militantët e opozitës, apo shumë prej atyre që janë pjesë e administratës dhe janë të detyruar të dalin në votime.

“Dilni, shkoni në qendrat e votimit dhe rezistoni” – tha Basha, por duke iu shmangur konflikteve dhe dhunës. Sipas Bashës, vetëm Edi Rama kërkon dhunë, sepse pushtetin e tij e mban vetëm përmes dhunës.

Këtë opinion ma kanë shprehur shumë anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike. Ma kanë shprehur shumë qytetarë, analistë politikë e të tjerë, por unë nuk besoj se dhuna është zgjidhja.

Unë besoj se forca jonë qendron tek drejtësia e asaj që kërkojmë, qëndron tek këmbëngulja, durimi dhe kurajo jonë. Asnjë rezultat politik, asnjë pushtet politik që del nga dhuna, nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popujt dhe për qeverisjet e tyre” – tha Basha.

“Dhuna prodhon ndërrime mekanike të pushtetit, pa bërë asnjë pastrim dhe transformim. Dhuna krijon përligje kriminale tek ata që vinë në pushtet prej saj” – deklaroi Basha, ndërsa shtoi se fton të gjithë qytetarët të protestojnë në rrugë e sheshe, si qytetarë europianë.

Basha tregon ku ndryshon nga Rama: Për pushtetin personal, Rama është gati të çojë shqiptarët në vëllavrasje. Unë kam përgjegjësi për jetën e çdo shqiptari. Dhuna dhe viktimat i vlejnë vetëm Edi Ramës. Ai do arsye. Ai kërkon të sigurojë pretekstin e kundërshtarit të dhunshëm për të justifikuar shtetin e tij policor për të justifikuar dhunën dhe abuzimet dhe krimet që ka kryer deri tani” – tha kryedemokrati Basha.

Sipas Bashës rrëzimi i Edi Ramës nuk do të vijë duke përplasur shqiptarët me njëri-tjetrin, nuk mund të vijë duke goditur, duke rrahur apo lënduar njëri-tjetrin. Fundi i Edi Ramës po vjen nga braktisja e tij. Nga distancimi prej tij. Nga izolimi i tij. Ky fund është pranë dhe, mbi të gjitha, sepse përpjekjet tona të deritanishme kanë qenë thellësisht europiane, thellësisht parimore dhe jo për pushtet personal.

“Përgjegjësia dhe detyrimi im kryesor është interesi publik, është mirëqenia e njerëzve. Ky interes vjen mbi çdo interes partiak, vlen para çdo interesi vetjak” – tha Basha në deklaratën e tij të orës 21.30 të së shtunës për mediat.

Basha tha gjithashtu se “ndryshe nga Edi Rama që për pushtetin e tij personal është i gatshëm t’i çojë nesër shqiptarët në vëllavrasje, unë kam përgjegjësinë për jetën e çdo demokrati, çdo socialisti, çdo qytetari shqiptar”.