Këtë herë, nga çadra e protestës, kreu demokrat Lulzim Basha ka folur për papunësinë. Ai tha se 1 Maji është dita për të kujtuar poshtërimin, pasi gjatë komunizmit shqiptarët kanë qenë të mjeruar. Sipas tij, në dikaturë populli festonte mjerimin e tij.
“Ndaj 1 Maji nuk ka si të jetë festë, as për popuj të tjerë që e kanë njohur komunizmin. Por për ne shqiptarët që komunizmi na hodhi nga mirëqenia në mes të Afrikës, nuk mund të harrohet”, tha Basha.
Më tej Basha tha se Rama dhe komunizmi kanë shumë të përbashkëta dhe sipas tij duhet t’i themi jo rikthimit sërish të diktaturës. Sipas Bashës, Rama nuk punësoi 300 mijë shqiptarë, por përzuri 300 mijë shqiptarë.
“Mashtrimi dhe propaganda ishin veçoritë e atij regjimi, mashtrimi dhe propaganda janë arma më e fuqishme e Edi Ramës.
Sipas tij, 79096 janë punësuar nga zyrat e punës në 4 vite. Rrena më e turpshme, më e pamoralshme, sepse njeriu që premtoi 300 mijë vende pune, ka vetëm 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi.
E vërteta e tmerrshme e Shqipërisë me Edi Ramën, është se ai me taksat e larta, me rritjen e çmimit të energjisë dhe shkatërrimin e rendit, e shkatërroi ekonominë shqiptare”, theksoi ai.






































