Lushtaku mohon përfshirjen e bashkëpunëtorëve të tij në rrahje sot në Skenderaj

06.05.2018 20:10:03

Pas raportimeve që gjatë ditës së sotme është bërë një përleshje fizike në mes të disa personave në Skenderaj, ndër ta edhe një veteran i UÇK-së, ka reaguar edhe Kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë, Sami Lushtaku.

Lushtaku raportimet i ka deklaruar si spekulime duke thënë se këto lajme po bëhen me qëllim që të dëmtohet procesi brilant zgjedhor që po ndodh në degën e PDK-së në Skenderaj.

“Pas spekulimeve të ditës së sotme nga disa media për gjoja një sulm fizik të bashkëpunëtoreve të mi ndaj një personi në Skenderaj, në cilësinë e Kryetarit të degës së PDK-së në Skenderaj e informoj opinion publik, qytetarët e Skenderajt dhe anëtarët e simpatizantët e PDK-së se lajme të tilla janë spekulime dhe qëllimkëqija”, ka thënë Lushtaku.

Ai gjithashtu ka thënë se mohon kategorikisht përfshirjen e bashkëpunëtorëve të tij dhe anëtarëve të PDK-së në ndonjë zënkë ose konflikt në Skenderaj.

“Mohoj kategorikisht përfshirjen e bashkëpunëtorëve të mi dhe anëtarëve të PDK-së në ndonjë zënkë ose konflikt fizik në Skenderaj. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të individëve të caktuar për të krijuar çdo ditë lajme të rreme në lidhje me degën e PDK-së, i siguroj anëtarët e PDK-së se PDK vazhdon të jetë unike dhe në proces të masivizimi të mëtejmë. Përpjekjet për të krijuar situata artificiale dhe të paqena, janë tendencë e qartë që të manipulohet opinioni publik, pasi tendenca për të dëmtuar procesin e brendshëm zgjedhor tashmë ka dështuar”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.