Lutfi Haziri ne javën e ardhshme publikon emrat e uzurpatorëve të pronës publike

06.05.2019 16:09:46

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se në javën e ardhshme, do të publikohet lista e emrave të uzurpatorëve të pronës publike.

Në mbledhjen të hënës të bordit të drejtorëve, e cila u transmetua drejtpërdrejtë, kreu i Gjilanit ka thënë se nuk do të ketë tolerancë për kategorinë e uzurpatorëve, të cilët për 20 vite e kanë shfrytëzuar pronën publike.

Në këtë takim u diskutua edhe për arritjet, sfidat dhe rekomandimet për tre mujorin e punës, ndërkaq u tha se prioriteti i parë në ditët në vijim është reforma në arsim, përkatësisht në norma, ndërkaq riorganizimi i shërbimit civil u tha se është prioriteti i dytë.

Sa i përket banimit social, u theksua fakti se shumë shpejtë do të fillojë ndërtimi i 20 shtëpive për familjet në nevojë, 11 shtëpi janë rinovuar sivjet, ndërkaq po u bëhet pagesa e qirasë për 50 familje nevojtare.

Haziri në fund ka njoftuar se në mbledhjen e radhës, e cila do të mbahet gjatë javës, do të diskutohen për të gjeturat dhe vlerësimet e programit të USAID TEAM, “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”.