Shqipëri/ Vëllai e nëna në gjendje shoku – Hapen dyert e mortit, efektivët e FA në banesën e koleges së vrarë sot

06.05.2019 16:14:52

Vdekja në një mision të NATO-s në Letoni e efektives 32-vjeçare Zarife Hasanaj i ka lënë të tronditur pa masë familjarët e saj. Të afërmit e së ndjerës kanë hapur dyert e mortit për vajzën që vdiq nga shpërthimi i një mine gjatë demontimit të tyre.

32 vjeçarja nga Tropoja, prej vitesh banonte në Tiranë në zonën e Babrrusë, së bashku me familjen e saj, nënën, babanë dhe vëllanë, ndërsa dy motrat e saj të martuara jetonin jashtë vendit.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Adem Osmanaj, i afërm i viktimës, është shprehur se lajmin tragjik e kanë mësuar nga mediat dhe se nëna e vëllai i 32-vjeçares e kanë përjetuar shumë keq ngjarjen.

Kur morën vesh lajmin në banesë ndodhej vetëm nëna dhe vëllai i 32 vjeçares. Ata të dy nuk kanë mundur të flasin asnjë fjalë, pasi ndodhen në gjendje shoku pas tragjedisë që ka prekur familjen e tyre.

I ati i oficeres ende nuk është njoftuar për humbjen e të bijës, pasi ndodhej në një ceremoni mortore në Tropojë dhe ishte duke u kthyer për në banesë, në Tiranë.

Ndërkohë, lagja dhe banesa e efektives që ndërroi jetë është e rrethuar nga forca të shumta të Ushtrisë, të cilëti kanë shprehur familjes ngushëllimet për humbjen e njeriut të dashur të tyre.

Gjithashtu mësohet se edhe një tjetër anëtare e familjes Hasanaj, motra e Zarifes është e angazhuar si efektive në Forcat e Armatosura.

Ministria e Mbrojtjes konfirmoi paraditen e kësaj të hëne se e reja kishte humbur jetën pas plagëve të marra nga shpërthimi i një mine të cilën ishte duke e pastruar. Të plagosur mbetën edhe dy persona të tjerë, pjesë e grupit të FA, njëri në gjendje të rëndë.