Lutfi Haziri: Veseli gjithmonë e dëshiroi rrëzimin e LDK-së

08.07.2017 17:30:38

Kadri Veseli prej pasluftës synon rrëzimin e LDK-së. I bëri bashkë të gjithë kundër dhe bashkë me Vetëvendosjen dhe pakicat rrëzoi Qeverinë e udhëhequr prej LDK-së. Përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve duhet ta marrin ata që kandiduan. Është keq pse Sabri Hamiti nuk është deputet sikurse keq se pse Fatmir Sejdiu nuk ishte në listën zgjedhore. Deputetët e LDK-së nuk guxojnë të tradhtojnë besimin që e kanë marrë më 11 qershor. Krejt këto i thotë Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili thotë se dikush po punon edhe brenda partisë për ta rrëzuar LDK’në.

Nënkryetari i LDK’së, Lufti Haziri, e ka përjashtuar çdo mundësi të koalicionit me PDK-në derisa ka bërë përgjegjës Kadri Veselin se pse u rrëzua Qeveria e Kosovës.

Ai ka thënë se Kryetari aktual i PDK=së kishte ndikuar edhe pasluftës që të gjithë të bëheshin bashkë kundër Lidhja Demokratike të Kosovës.

Tash, sipas Hazirit, Kadri Veseli ka vepruar njësoj duke mbledhur afër vetes Vetëvendosjen, serbët, boshnjakët për të rrëzuar Qeverinë e udhëhequr prej Isa Mustafës.

“Kauza rreth demarkacionit dhe asociacionit dhe kundër LDK-së, kryesisht ka qenë agjendë e opozitës e stimuluar prej PDK-së. U pa që prapa këtij skenari ka qenë PDK dhe Kadri Veseli me të vetmin qëllim që ta rrëzojnë LDK-në”, ka thënë Haziri, në një intervistë për shqiptari.eu

Haziri ka bërë pyetje se pse Veseli ishte bërë kundër LDK’së dhe ka dhënë vet përgjigjen.

“Pse Kadri Veseli arriti t’i bashkojë PDK-në, VV-vë, AAK-në, Nismën, Listën Serbe, turqit, boshnjakët dhe romët, kundër LDK-së?! Pse Kadri Veseli i bashkoi të gjithë kundër LDK-së, jo vetëm tash, pse i bashkoi menjëherë pas luftës kundër LDK-së dhe pse në prag të liberalizimit të vizave i bashkoi kundër LDK-së? Sepse LDK-ja mbetet, jo vetëm rivali, por konkurrenti i vetëm politik”, ka shtuar ai.

Në këtë situatë, Haziri ka thënë se humbësi më i madh i zgjedhjeve është Kadri Veseli dhe PDK’ja.

“Por, unë mendoj që humbësi i këtyre zgjedhjeve është PDK-ja si rrënuese e qeverisë, rrënuese e institucioneve, parti mosmirënjohëse dhe partia që helmon puse e rrënon ura. Ata janë humbës, ndërsa të gjithë të tjerët janë fitues”, ka shtuar ai.

Haziri ka folur edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme duke thënë se lista e udhëhequr prej Avdullah Hotit është përgjegjëse për rezultatin. Ka thënë se Parlamentit do t’i mungojë Sabri Hamiti derisa ka thënë se në listë për deputetë do të duhej të ishte edhe njëri prej themeluesve kryesor të LDK’së, Fatmir Sejdiu.

“Unë mendoj që LDK-së i mungon Sabri Hamiti si deputet sepse kundër tij dikush ka punuar mos me qenë aty. Ata që kanë punuar dikujtë t’ia fryjnë votat, kanë punuar që dikujtë t’ia zvogëlojnë votat. I mungon listës Nexhat Daci, e Fatmir Sejdiu mbi të gjitha sepse Lumri Abdixhiku, Driton Selmanaj, Vjosa Osmani, Arben Gashi e Valentina Bunjaku Rexhepi ose edhe emrat tjerë janë përfshirë në listë dhe i kanë marrë këto vota që i kanë marrë. Por, pse në listë nuk janë ata që duhet me qenë dhe pse u ‘prenë’ duhet me mendu ata që e kanë bërë. Sepse dikush po punon me rrënu Kalanë e LDK’së…”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, Nënkryetari i LDK-së ka thënë se deputetët e LAA-së nuk guxojnë të shkojnë te asnjë parti. Ka thënë se veprime të tilla s’guxojnë të bëjnë as deputetët e AKR’së e Alterntivës pasi votat i kanë marrë prej LDK-së.

“Deputetët e saj nuk guxojnë dhe nuk mund të ndahen nga grupi parlamentar, duke përfshirë edhe depuetët e AKR-së dhe Alternatives. Ai që del nga 29, definitvisht do të japë llogari para votuesve të LDK-së sepse këto vota janë të LDK-së”, ka shtuar ai.