Majko kundërshton idenë Qosjes për ndryshimin e kufijve

22.01.2017 12:27:53

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka kundërshtuar idenë e Rexhep Qosjes për shkëmbim territoresh me Serbinë, duke thënë se ndryshimi i kufijve s’bëhet mbi dëshira kombëtare.

Majko, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk e nxjerrin humbës.

Postimi i plotë i Majkos në Facebook:

“Rexhep Qosja padyshim është një cilësi e pandryshueshme kombëtare.

Propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar.

Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?”

Pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë.

Me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk e nxjerrin humbës , ka shkruar Qosja.