“Rudina Hajdari po mundohet të krijojë një parti të re politike”

15.03.2019 13:02:49

Deputetët e rinj që kanë hyrë në Kuvend pas djegies së mandateve nga PD dhe aleatët e saj, janë ashtuquajtur “opozita e re” dhe shpeshherë në media është përfolur Rudina Hajdari si udhëheqësja e tyre.

E bija e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, refuzoi të linte mandatin ashtu siç bën kolegët e saj në PD dhe është parë në krahë të ambasadorit të BE dhe asaj të Gjermanisë gjatë këtyre dy javëve.

Madje Rudina ka bërë thirrje për shkëputje nga politika e vjetër dhe ka theksuar se nuk mund të luftojë përkrah LSI-së që ka vjedhur dhe blerë vota.

Sipas gazetarëve që ishin të ftuar në emisionin “Opinion” klima e krijuar dhe rreshtimi i Rudina Hajdarit të lënë të kuptosh se, ajo mund të krijojë një forcë të re politike.

Robert Rakipllari e mbështet fort këtë ide dhe kujton se ajo është e vetmja që bën përjashtim nga ata që po pranojnë mandatin si kandidat “rezervë”.

DEBATI:

Mustafa Nano: Opozita është kjo që është. Janë ca njerëz që dhe po besojnë se po bëjnë një gjë te duhur. Pjesa më e madhe po ndjekin interesin e tyre që po përdoren dhe nga mazhoranca. Përfaqësojnë vetveten por jo opozitën.

Artan Hoxha: Delenxhi në Shqipëri gjen sa të duash. Ndonjë që fluturon… Por si mund të krijojnë ndonjë pol, cili prej tyre ka shpalosur ndonjë platformë? Si mund të krijohet nga hiçi, nga asnjë aktivitet publik. Ata janë të ligjshëm, por nuk bëjnë dot opozitën në parlament. Po të duan ta shpallin dhe Edi ramin monark të përjetshëm.

Armand Shkullaku: Rrugë tjetër nuk kishte opozita, i del mirë apo jo, kjo nuk është puna ime.

Robert Rakipllari: Rudina Hajdari po bën lëvizje të re opozitare, po bën një parti të re. Është fare normale, duke parë historinë e saj familjare. Të tjerët janë askush dhe duan të marrin një rrogë, disa mund të jenë të blerë nga qeveria.

Alfred Peza: Ata deputetë janë të ligjshëm dhe vijnë nga listat zyrtare të opozitës. Janë vendosur me dorën e kryetarëve të partisë. Janë atje në vendin e tyre.