Malaga “frenon” Barcelonën në “Camp Nou”

19.11.2016 20:38:02

Barcelona hedh një hap fals në shtëpi me Malagan duke barazuar 0-0 një ndeshje që e dominoi nga fillimi në fund, por që nuk arriti dot të gjejë golin që do t’i jepte fitoren. Në “Camp Nou” katalanasve i mungon mbi të gjitha saktësia përpara porte aq sa në gjithë takimin dërgoi topin në kuadrat në vetëm pesë raste. Mungesa e Messit dhe Suarezit u ndje te formacioni i Enriques dhe Neymar i vetëm nuk bëri dot rolin e protagonistit, as kur kundërshtari mbeti me 10 vetë pas daljes së Llorentes me të kuq. Dhe kur Pique e gjeti golin si në rastin e minutës së 83-të gjithsesi ishte në pozicion jashtë loje, ndërsa në të 94-trën ishte Kameni që ndali në mënyrë të pabesueshme Neymar. Ndeshja u mbyll pa gola, me blaugranat që barazuan një sfidë të cilën duhet ta kishin fituar.

Sevilla arriti një fitore të pabesueshme në Riazor ndaj Deportivos duke përmbysur 2 gola epërsi të vendasve. Pas golit të Babelit në minutën e parë ishte Andone që realizoi një gol fantastik, pasi mori me radhë të gjithë mbrojtjen andaluziane.
Ndeshja u duk se u mbyll këtu, por Zonzi e rihapi mjaft shpejtë.
Në pjesën e dytë surpriza ishte ruajtur për në fund, me Sevillan që gjeti golin e barazimit vetëm në të 87-tën me Vitolon, ndërsa në të 92-të Mercado ngriu “Riazor” me golin e 2-3 duke i dhënë një fitore të pabesueshme ekipit të Sampaolit, që rigjeti fitoren pas dy rezultateve negative.