Malisheva me të gjitha fshatrat e lokalitetet, në terr të përditshëm

03.08.2018 22:36:14

 

Nga Jusuf Bytyçi

Askush më shumë se banorët e komunës së Malishevës, mbi 65 mijë sish, nuk janë të diskriminuar nga KEDS-KESCO e Gjakovës. Qytetarët e kësaj komune në më se 43 fshatra e lokalitete, edhe në këtë stinë po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike dhe për pasojë, pos territ, po dëmtohen vazhdimisht edhe materialisht. Ka dëmtime të aparateve t teknike të amvisërisë. Ishim mësuar me reduktime disa orëshe brenda ditëve, vikendeve po se po, sikurse edhe me ndërprerje të dhunshme si pasojë e “punimeve” në rrjetin e brendshëm apo të jashtëm, thonë qytetarët e mllefosur me arsye. Ndonjëherë marrim vesh për ndërprerje 4-5 orëshe, apo edhe kur pa energji mbesin si pasojë e kohës së ligë me stuhi, por që të ndalet rryma edhe në ditë të qetë pa të reshura, kjo nuk ka logjikë, kjo nuk mund të arsyetohet, shprehen konsumatorët e kësaj komune, që konsiderojnë se po u bëhet e padrejtë, po u shkilet edhe e drejta elementare për jetë normale. Gjatë dhjetë ditëshit të fundit të korrikut dhe tre ditët e para të gushtit, përditë pati ndërprerje të energjisë elektrike, pavarësisht nga pagesat e faturave goxha të fryera dhe jo transparente. Me ndërprerje të gjatë dhe të pakuptimtë, malishevasit u përballën edhe dje për tetë orë rresht, deri rreth orës 21:00. Jemi mësuar me arsyetime bajate, ka prishje aty e atje, edhe në 35 -shin që mësohet se është trafo kryesore në Rahovec, prej nga furnizohet me rrymë edhe Malisheva. Është paradoksale kur KEDS-KESCO investojnë në rrjetin e brendshëm, sigurojnë shtylla betoni me njehsorë digjitalë në maje të tyre, që lexohen nga distanca, pa transparencë për konsumatorët, ndërsa nuk bëhen investime në rrjetin e lartë përçuesve, prej nga vjen rryma! Në komunën e Malishevës, ndalet rryma vetëm pas çdo ere, kohë me shi dhe më pas defektet nuk sanohen me 7-8 orë. Kësaj gjendje i vjen era diskriminim, konsiderojnë qytetarët e kësaj komune.