Mandatet/ I takon vendi i Berishës, demokratja e refuzon: S’e zëvendësoj dot!

28.02.2019 17:46:26

Vendet e lëna bosh nga deputetët e opozitës në Parlament, sipas delegacionit të PE-së që qëndroi për dy ditë në Tiranë do të mbushen me deputetë të rinj dhe ky Kuvend legjitim do të vazhdojë jetën e tij deri në 2021.

Për të kryer procedurat për zëvendësimin e “të ikurve” ka hyrë në rol edhe KQZ-ja e cila ka nisur punën duke u dërguar 57 “rezervistëve” njoftimin se ata mund të bëhen deputetë dhe duhet të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit.

Ndër të thirrurit e këtij institucioni është edhe Ina Haxhiaj nga radhët e Partisë Demokratike. Asaj i bie për pjesë që të zëvendësojë në Parlament, liderin historik të PD-së, Sali Berisha dhe kështu pesha bëhet më e rëndë.

Vetë Haxhiaj ka reaguar për këtë çështje, duke shkruar në “Facebook” shumë shkurt se nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, duke hedhur poshtë thirrjen nga KQZ për të marrë mandatin e deputetes.

“Më vjen keq, por nuk e zëvendësoj dot”, shkruan demokratja Ina Haxhiaj.