Manjani pas shkarkimit: Rama Donte të më mbyllte gojën

30.01.2017 14:39:24

Ish-ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Ylli Manjani ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë një konferencë për shtyp, duke thënë se kreu i qeverisë nuk lë ministrat të flasin nëpër mbledhjet e qeverisë. Ai ka konfirmuar se partnerët e koalicionit i kanë kërkuar Ramës shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

“Kur hyra në qeveri gjeta një praktikë që nuk kishte lidhje me profesionalizmin dhe me Kushtetutën. Ministrat nuk lejohen të flasin në mbledhjen e qeverisë. Me Ramën, asgjë personale, vetëm parimore. Kryeministri i ka bërë presion kryetarit të Parlamentit që të më shkarkonte. Donte të më mbyllte gojën. Ankohej se flisja në media pa lejen e Fugës. Po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh. Po dhe mendim, shkarkohesh. Rri urtë, bëj nai tender apo koncesion dhe je në rregull. Ky është mesazhi i kryeministrit”, tha Manjani.

Ai gjatë konferencës për media tha se ndihet i nderuar që ka ikur nga Qeveria PS-LSI. “Denoncova se shteti nuk po mbronte investimet e huaja dhe pas kësaj deklarate në Këshillin e Ministrave u përzu dhe u rrah një biznesmen, duke e përzënë nga Shqipëria. Kam marrë nisma që më janë refuzuar në mënyrë të tmerrshme nga njerëz që nuk janë mbi ministrat. Këto kanë qenë debatet, por më i madhi është se pse flet me mediat. U shtua presioni pas deklaratës për kanabisin. E bëra atë deklaratë si qytetar i shqetësuar për këtë fenomen dhe e kam bërë pa asnjë paragjykim”, shtoi Manjani.

Ish-ministri tha gjithashtu se, partnerët kanë kërkuar shkarkimin e Saimir Tahirit. “Nuk kërkuan shkarkimin tim, por kryeministri kërkon të heqë vëmendjen”, u shpreh Manjani.

“Do isha ministër jetëgjatë nëse do të qepja gojën e të zbatoja porositë, por ndërgjegje ime qytetare e profesionale nuk ma lejonte këtë gjë”, ka përfunduar konferencën Ylli Manjani.