Maqedonia do të ketë qeveri teknike para çdo cikli zgjedhor

23.07.2018 17:52:27

Arrihet përparim në bisedat e liderëve politikë të cilët sot në takimin e tretë po kërkojnë zgjidhje për ngërçin politik nga i cili varret organizimi i referendumit për marrëveshjen me Greqinë.
Pas takimit pesë orësh, kryeministri Zoran Zaev në emër të të gjithë liderëve doli me një deklaratë të shkurtër për të përcjellë epilogun e arritur, duke shtuar se takimi do të vazhdojë.

“Sot pranuam kërkesën e VMRO DPMNE-së për ndryshime ligjore të cilat do të mundësojnë një qeveri teknike, e cila do të zbatojë secilin cikël zgjedhor me forma të njëjta të Marrëveshjes së Përzhinës. U pajtuam që sot të marrë fund takimi i liderëve për çka i rikthehemi temës së referendumit, karakterit dhe datës së mbajtjes”, tha Zaev.

Dy takimet tjera të liderëve që u mbajtën ditë më parë nuk dhanë rezultate, ku opozita kërkon dakordim për një sërë kërkesash para zgjedhjes së Komisionit Zgjedhor Shtetor (KSHZ), i cili duhet të organizojë referendumin për marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë.