Masakra e Vlorës ndodhi vetëm në 11 sekonda

24.02.2017 08:41:42

Silvana Muça

 

Një ditë më parë gazeta “Shqip” publikoi motivin e sherrit të masakrës së Vlorës, ku mbetën të vrarë Albi Limaj, Ardi Velaj, Haki Rakipi dhe u plagos Aleksandër Llanaj. Sot jepen të tjera detaje, ku flitet për telefonatat që palët kundërshtare kanë bërë me njëri-tjetrën dhe deri tek ekzekutimi i trefishtë. Paraditen e 7 Prillit 2015, kur gjithçka duhet të ishte qetësuar, konflikti degjeneron në të tjera përmasa.

Në orën 11:00 të  paradites Aleksandër Llanaj ishte duke pirë kafe me Bertil Alliajn tek kafja e quajtur “K…T..”, Vlorë. Rreth asaj ore aty mbërrin Albi Limaj dhe Ani Begaj, ky i fundit kushëri me Llanajn.  Albi Limaj i ka kërkuar Llanajt që të ulen në një tavolinë tjetër për të folur dhe kështu bënë. Ai i ka treguar gjithçka për sherrin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të asaj dite. Limaj nuk i ka përtypur dot fyerjet që Ardi Velaj ka bërë ndaj atij dhe për pasojë kërkoi që të hakmerrej. Në ato momente ai merr dikë në telefon për të kërkuar numrin e Ardi Velajt.

Ndërkohë, Bertil Alliaj dhe Ani Begaj pinin kafen bashkë. Pas disa minutash të 4 djemtë lëvizin me një makinë tip “BMW”. Në orën 12:33 të mesditës, Albi Limaj merr në telefon Ardi Velajn, ndërkohë që ky i fundit ishte në shoqërinë e Haki Rakipit, me të cilin njihej që në fëmijëri. Ardi Velaj i ka thënë që të takoheshin në lagjen “Çole”, e cila ndodhej pran tregut të fruta-perimeve.

Më pas 4 djemtë kanë lëvizur me makinën që drejtohej nga Ani Begaj. Kur afrohen pranë tregut të fruta-perimeve, Limaj i kërkon shoferit që të ndalonte. Ai zbret së bashku me Aleksandër Llanajn. Ndërkohë, Bertil Aliaj është ulur në sendlijen e parë të pasagjerit. Automjeti I ndiqte nga distanca Limajn dhe Llanajn. Këta të fundit ngjiten tek shkallët e lokal ‘Ad…’,  dhe futen në verandë. Ndërkohë Ardi Velaj ndodhet në verandën e lokalit së bashku me Haki Rakipin, të cilët janë ulur përballë njëri-tjetrit dhe kanë pirë cigare.  Pas dy minutash në lokal vjen Albi Limaj së bashku me Aleksandër Llanajn.

Albi Limaj dhe Ardi Velaj takohen me njëri-tjetrin dhe i mbanin duart brenda zinxhirit të xhupave, ku dhe kishin pretendohet se kishin fshehur armët. Në këto momente Aleksandër Llanaj qëllon me armë, duke mos i dhënë kohë njëri-tjetrit për qetësimin e situatës. Fillimisht ai qëllon mbi Ardi Velajn, duke ia marrë jetën me një plumb të vetëm në kokë. Në dosje thuhet se pas kësaj, Haki Rakipi ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të Llanajt 8 herë, duke i shkaktuar disa plagë. I plagosur nga kjo përleshje ka mbetur edhe Albi Limaj, ku thuhet se atentatori ka qenë sërish Llanaj.  Haki Rakipi vazhdon që të qëllojë me armë, ndonëse i plagosur. Kur Llanaj e plagos për herë të dytë në pjesën e djathtë të kokës, Haki Rakipi vdes. Ndërkohë, Albi Lamaj ka mbetur i plagosur dhe ka tentuar që të largohet në një nga daljet e lokalit, sepse ai ka dy të tilla. Llanaj është larguar nga dera tjetër. Gjithçka ndodhi në 11 sekonda.

Nga automjeti tip “BMW”, del shtetasi Bertil Alliaj, i cili e ka gjetur të gjallë Albi Limajn. Ndërkohë, Llanaj është futur në makinë, e cila drejtohej nga Ani Begaj.  Bertil Alliaj së bashku me Ani Begajn shkojnë që të marrin Albi Limajn, i cili është rrëzuar pa ndjenja në asfalt. ‘Ky ka mbaruar, po ik”, i ka thënë Alliaj Ani Begajt dhe pas kësaj është larguar me vrap midis pallateve së bashku me armët në duar. Ndërkohë, Ani Begaj ka dërguat të plagosurin në spital.

Vijon nesër, me vendndodhjen e policisë në skenën e krimit