MASHT i kërkon SBASHK-ut ta zgjidhë në mënyrë institucionale, çështjen e pagave

13.01.2019 19:00:06

Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë i ka bërë apel SBASHK-ut, të mos e pengojnë procesin mësimor, të hënën.

Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi në një prononcim, ka thënë se MASHT-i, është kundër grevës ndërkaq, ka kërkuar të bëhet angazhim institucional së bashku me sindikalistët, për të zgjidhur problemin.

“Ne jemi kategorik kundër grevës. Ne nuk e përkrahim grevën, ashtu siç tashmë as prindërit dhe ju bëjmë apel SBASHK-ut, që të mos e pengojnë procesin mësimor, por të bëjmë angazhim të përbashkët institucional”, ka thënë Gashi për Telegrafin.

Në letrën publikë të SBASHK-ut, thuhet se në grevë po hyjnë “jo pse këtë e dëshirojnë edukatoret, mësuesit, profesorët universitar dhe i tërë stafi i të punësuarve në arsim, por kjo grevë u imponua për shkak se negociatat për plotësimin e kërkesave nuk dhanë rezultate”.

SBASHK-u ka njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritët 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga.

Kundër grevës ka dalë edhe Shkolla Fillore “Elena Gjika”, të cilët kanë thënë se me 14 janar (e hënë), do të mbahet mësim i rregullt.

Vendimin e shkollës fillore “Elena Gjika, e ka mbështetur edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Ymret Reshiti, i cili është kryetar i këtij këshilli, ka bërë thirrje që edhe shkollat tjera ta ndjekin këtë shembull.