MASHT kërkon mirëkuptim nga SBASHK: Greva dëmton procesin e testit PISA

10.04.2018 16:40:39

Nga 13 prilli Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar fillimin e grevës me një afat të pa caktuar, gjë e cila sipas Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dëmton procesin e testit PISA e po ashtu edhe testin e maturës i cili së shpejti do të mbahet.

Në lidhje me çështjen e grevës së mësimdhënësve Valmir Gashi nga MASHT për “Zëri.Info” ka thënë se në vazhdimësi janë në takime me SBASHK dhe kanë bërë shumë përpjekje që ligji të shkojë në Parlament.

Ai po ashtu ka deklaruar se MASHT ka kërkuar mirëkuptimin e SBASHK-ut që në pjesën e shpenzimeve afatmesme kanë planifikuar të kenë buxhet për Ligjin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta.

“Në takimin e fundit e kemi informuar SBAShK-un që edhe në pjesën e shpenzimeve afatmesme është planifikuar që të kemi buxhet për Ligjin e Mësimdhënësve të viteve 90’ta dhe kemi kërkuar mirëkuptim. Qeveria është duke punuar dhe do të gjejë masa sa më të shpejta që ligji të shkojë në Parlament dhe kemi kërkuar mirëkuptim nga SBAShK-u, të mos futen në grevë mësimdhënësit për arsye se vërtetë jemi në një fazë të rëndësishme këtë vit sepse po mbahet Testi PISA”, deklaroi ai.

Ndër të tjera Gashi për “Zërin” ka folur edhe në lidhje me testin PISA për të cilin thotë se për dallim nga viti 2015 kur nxënësit nuk ishin të informuar deri në ditën kur hynin në test, MASHT tani ka punuar mjaft shumë dhe po presin rezultate të mira.

“Është bërë një përgatitje e jashtëzakonshme dhe për herë të parë në secilën shkollë ku mbahet Testi PISA secili nxënës e din peshën dhe rëndësinë e këtij testi dhe përmendet PISA, në krahasim me vitin 2015 që vetëm ditën kur janë futur në test nxënësit e kanë ditur që po mbahet testi. Ajo çka është më e rëndësishme dhe të cilën ia kemi thënë SBAShK-ut, sot nxënësit tanë e dinë që nuk janë duke u futur në Testin PISA për vetveten, por janë duke u futur për shtetin e Kosovës, pra janë duke e përfaqësuar shtetin e Kosovës”, tha Gashi.

Kjo ministri, ka kërkuar nga SBASHK-u që mos të dëmtohet ky procesi i Testit PISA po ashtu testi i Maturës i cili është i jashtëzakonshëm për Kosovën.

“Kemi kërkuar që të mos dëmtohet ky proces sepse është proces i jashtëzakonshëm për neve dhe për Kosovën. Normalisht e kemi edhe testin e Maturës që po ashtu greva mund ta dëmtojë. Ne do të bëjmë përpjekje që të gjejmë një zgjidhje që të mos fillojë greva dhe shpresojë shumë që deri ditën e enjte do të gjejmë një zgjidhje. Nesër është dita e parë e Testit PISA dhe shpresojë që do të jetë një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe do të fillojë mbarë ky test. Nuk beso që do të kishte interes dikush që të marrë përgjegjësi për të ndërprerë Testin PISA në Kosovë”, ka deklaruar Gashi.