MASHTI planifikon që në shtator mësimi të fillojë në shkolla

18.08.2021 17:50:45

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e Kosovës është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje fizike në shkolla dhe me mësim të rregullt. Aktualisht janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, që nis më 1 shtator.

Edhe përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) thonë se mësimdhënësit janë të gatshëm që të fillojnë procesin mësimor në shkolla. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, megjithatë thotë se kjo varet nga situata epidemiologjike me coronavirus.

Por, për të siguruar një kthim të sigurt në shkolla, MASHTI, SBASHK-u dhe Këshilli i Prindërve u kanë bërë apel mësimdhënësve dhe prindërve që të vaksinohen kundër sëmundjes COVID-19.

Jasharaj thotë se përpjekjet e të gjitha institucioneve të arsimit në nivel lokal dhe qendror, janë që nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, vitin e ri shkollor, ta nisin me prani fizike në shkolla.

“Për momentin ne mbesin te vendimi i MASHTI-it që viti i ri shkollor të fillojë në institucionet arsimore. Por, e gjitha varet nga situata e përgjithshme në nivel vendi me të infektuarit me sëmundjen COVID-19, sidomos me variantin Delta. I mbetet Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të analizojnë mirë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300,000 mijë nxënës që vijojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, më 6 gusht, ka thënë se “ministria është duke i marrë të gjitha masat që viti i ri shkollor të nisë me prezencë fizike në shkolla”. Më 6 gusht, në Kosovë kanë qenë të regjistruar vetëm 271 raste të reja me coronavirus.

Por, ditëve të fundit, është rritur dukshëm numri i të infektuarve, sidomos te fëmijët. Autoritetet shëndetësore të mërkurën (18 gusht) kanë regjistruar katër viktima dhe 2.110 persona të infektuar me coronavirusin e ri. Nga kjo shifër, 194 janë persona të moshës 10 deri në 19 vjeç.

Ministria e Arsimit, thuhet në përgjigje, “është duke e përcjellë situatën me COVID-19 dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në, të cilat japin rekomandimet përfundimtare andaj, për detaje tjera do të njoftoheni me kohë”.

Si pasojë e numrit të të infektuarve me coronavirus, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka propozuar që të ndërmerren masa të reja për luftimin e pandemisë.

Sipas tij, kufizimet e reja do të përfshijnë orar të kufizuar të bizneseve të gastronomisë, meqë shpërndarja më e madhe e virusit ka thënë të jetë pasojë e organizimeve në ambiente të mbyllura, por nuk është përmendur fillimi i vitit të ri shkollor.