Matthäus: Müller nuk ka vend me Ancelotti-n

23.02.2017 12:08:28

Lothar Matthäus godet fort edhe tani që ka lënë futbollin. I pyetur në gazetën “TZ” mbi aktualitetin e Bayern-it, ish-mesfushori gjerman ka theksuar se Thomas Müller nuk ka vend në formacionin e trajnerit Carlo Ancelotti, sepse para tij janë tre lojtarë më të rëndësishëm. “Të pazëvendësueshmit për mua janë Arjen Robben, Franck Ribery dhe Thiago Alcantara, furnizuesit kryesorë të sulmuesit Robert Lewandowski. Ata duhet të fitojnë ndeshjen dhe të krijojnë situatat vendimtare”, – u shpreh ish-kampioni i botës, gjithnjë karizmatik.

“Nëse këta të tre janë në fushë së bashku me Lewandowski-n, shanset për të fituar Ligën e Kampionëve janë shumë më të mëdha krahasuar me rastet kur Ancelotti vuan mungesat e tyre”, – shtoi Matthäus, për të cilin Müller mbetet viktima e sistemit. “Më pëlqen dhe e di se çfarë ka bërë, por në sistemin aktual të Ancelotti-t për të nuk ka vend në ndeshjet vendimtare”, – këmbënguli 55-vjeçari. Në fund, ish-kapiteni shpjegoi performancat e dobëta të bavarezëve në kampionat: “Një kalë i mirë nuk kërcen më shumë seç duhet, thjesht kalon pengesat.”