Mos të çojmë ujë në mulli të huaj!

23.02.2017 11:18:55

Nga Bajram Gecaj

Ishin pjesë e LDK-së me libreza, por kurrë me bindje dhe atdhedashuri. Rrallë sulmonin tek e tek, shumë më të fortë bëheshin bashkë për tu vërsulur si hiena, por shumë kurrë nuk ishin, nuk janë as sot. Megjithatë ishin dhe janë të dëmshëm. Kjo lojë e pandershme nga të tillët përbrenda LDK-së, thjeshtë është bërë në vazhdimësi nga ata për të cilët interesi personal, klanor dhe politik ishte me i rëndësishëm se sa interesi i përgjithshëm nacional. Këta nga brenda LDK-së bëheshin bashkë me kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj partie. Ky mentalitet anti LDK nuk është ndalur. Është kjo mendësi e cila në një anë me fjalë cinike e veprime dashakeqe, kishte etiketuar e akuzuar dr. Ibrahim Rugovën, dr. Fehmi Aganin, Enver Malokun, Xhemajl Mustafën, Sali Çekajn, Tahir Zemajn, Isuf Haklajn, Sebahate Tolajn, e shumë e shumë aktivistë tjerë politik e ushtarak, ndërsa më pas, me një hipokrizi të neveritshme, përkulet dhe nderon mu këto figura.

Dhe gjërat përsëriten. Të njëjtit të cilët edhe sot na akuzojnë për tradhti dhe për falje territori, edhe pse e dinë mirë se kjo është një në radhën e trillimeve të tyre, trillim nga i cili ata mundohet të përfitojnë kredi në opinionin publik, dhe se kjo është e tëra që atyre vërtetë ju intereson. Ata nuk qajnë kokën se kështu po dëmtojnë Kosovën dhe rrugën e saj të trasuar drejt integrimeve evro-atlantike, por qëllimi fillestar dhe përfundimtar i tyre është që me çdo mjet dhe në çdo mënyrë të arrijnë atë të cilën nuk e arritën me votën qytetare.

Këta individ me apo pa vetëdije po e dëmtojnë Kosovën, interesin kombëtar, e posaçërisht subjektin e “tyre” politik, Lidhjen Demokratike të Kosovës. LDK ka pasur dhe ka kundërshtarë dhe dashakëqij, prandaj nuk kemi aspak nevojë që edhe nga brenda të krijojmë përçarje dhe huti të tilla, te cilat vetëm se “qojnë ujë në mulli të huaj”. Është koha e fundit dhe kruciale për LDK-n të jetë unike si ide dhe si veprim.