Mbi 15 milionë të infektuar në botë me COVID-19

21.07.2020 23:49:33

Është tejkaluar numri prej 15 milionë njerëzish të infektuar me coronavirus në botë, sipas Worldometers.

Numri më i madh i personave të infektuar deri më tani janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë regjistruar më shumë se katër milionë rastesh me COVID-19.

Situata më e vështirë është në shtetin amerikan të Floridës, e cila regjistron më shumë se 15 mijë rastesh të reja të të infektuarve në ditë, transmeton Telegrafi.

Vendi i dytë në botë për sa i përket numrit të të infektuarve është Brazili, ku ka më shumë se dy milionë me coronavirus, gjersa njëri nga të infektuarit është presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro.

Brazili pasohet nga India me më shumë se një milion njerëz të infektuar dhe gjatë 24 orëve të fundit regjistroi 600 vdekje.

Siç paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetit, shumica e rasteve janë regjistruar në Amerikën e Jugut dhe të Veriut.

Në Evropë, Rusia ka më së shumti të infektuar, e cila ka afër 800 mijë raste me COVID-19, e ndjekur nga Spanja me më shumë se 300 mijë rastesh.

Në kontinentin Evropian, Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka një pamje të keqe epidemiologjike, me afër 300 mijë të infektuar dhe më shumë se 45 mijë persona që kanë humbur jetën.