Mbyllja e seancave për mediat: Drejtësia nën dry!

13.12.2016 20:08:54

Seancat gjyqësore – ku të përfshirë janë fytyra të njohura publike – kohëve të fundit po ua mbyllin derën medieve.

E gjitha nisi me seancën ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, që u mbajt me dyer të mbyllura për publikun. Këtë vendim e kishte marrë gjyqtari i rastit, Shasiavr Hoti.

Mirëpo, me kaq nuk mbaroi “diktatura” e gjykatave. Edhe në gjykimin e mjekëve në rastin “Stenta” – ku po gjykohen 58 mjekë, punonjës të sistemit publik e privat shëndetësor dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani – mediet u përzunë nga salla me arsyetimin e mungesës së vendeve në gjykatore.

Për t’ia vënë vulën mbylljes së seancave gjyqësore ndaj medieve, sërish gjykata vendosi që seanca e parë gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve – e njohur si “Toka” – të mbahet me dyer të mbyllura, ani pse EULEX-i kishte paralajmëruar se kjo seancë do të jetë e hapur për mediet dhe publikun. Me vendim të gjyqtarit të kësaj çështjeje penale, Arcadiuss Sedek, mediet dhe publiku janë larguar me arsyetimin se “kjo seancë është teknike” dhe se në të do të diskutohet në lidhje me konfirmimin ose jo të aktakuzës për të pandehurit në këtë rast

Pas këtyre rasteve, pati reagim nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“Kërkojmë nga Gjykatat që t’i hapin dyert për mediet dhe për publikun, pasi transparenca duhet të jetë parimi bazë mbi të cilin do të duhej të funksiononte ky institucion. Mungesa e transparencës në drejtësi krijon mundësi për spekulime të ndryshme, pasojat e së cilës do t’i bartin vetë institucionet e drejtësisë. Me këto veprime gjykatat kanë krijuar precedent për fshehjen nga publiku të veprimeve të dyshuara kriminale të zyrtarëve të lartë”, është thënë në reagimin e AGK-së.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se praktika e mbylljes së seancave gjyqësore për publikun – të rasteve më të ndjeshme që përbëjnë interes të madh për publikun – paraqet shqetësim serioz.

“Kodi i Procedurës Penale përcakton qartë se kur mund të mbyllet një seancë gjyqësore. Dhe, kur të plotësohen këto kushte, gjykatësit mund ta mbyllin atë për publikun. Mirëpo, ky aktvendim duhet të arsyetohet dhe të shpallet publikisht. Në të kundërtën, dëshmojnë se kanë mungesë guximi për t’u ballafaquar me punën e tyre; se nuk dëshirojnë të shihen nga publiku ashtu siç e ka përcaktuar Kodi. Drejtësia legjitimohet me besimin e qytetarëve dhe ky besim mund të fitohet vetëm kur publiku sheh e dëgjon atë që po ndodhë në një shqyrtim publik gjyqësor”, ka thënë Musliu.

Ai ka shtuar se kjo qasje e gjykatësve është e papranueshme për IKD-në dhe se kanë kërkuar transparencë dhe llogaridhënie para publikut.

“IKD u rekomandon gjykatësve që të respektojnë të drejtën e garantuar me Kushtetutë për t’u informuar dhe për të informuar. Gjithashtu, gjykatësit duhet të respektojnë të drejtën dhe lirinë e informimit, duke interpretuar këto drejta dhe liri në përputhje me Konventën Evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të Strasburgut”, u shpreh Musliu.

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka thënë për Telegrafin se në disa rrethana të natyrës private dhe shumë intime, ose kur paneli vlerëson se do të ofrohen prova të rëndësisë së veçantë, mund të mbahet seanca pa mediet.

“Mbylljet e fundit të seancave janë të paarsyeshme. Në rastet e tilla duhet të jepen arsyetime për publikun dhe për mediet, pra të mbizotërojë transparenca”, ka thënë Burjani. “Kjo është një situatë konfuze, e qëllimshme dhe e pabazuar”.