Rama: Pa pastruar pallatin e drejtësisë, nuk kemi çfarë kërkojmë nga BE

13.12.2016 19:59:54

Gjatë pritjes që i bëri diplomatëve të huaj me rastin e festave të fundvitit, Rama tha se datën për çeljen e negociatave e përcaktojmë ne dhe jo Bashkimi Europian. “Për sa kohë ne nuk do të hedhim hapat e domosdoshëm atëherë nuk kemi çfarë kërkojmë nga BE. Nuk është BE që përcakton datën e çeljes së negociatave në këto kushte ku jemi.

Jemi ne që mund ta përcaktojmë atë duke i dhënë BE provën e prekshme të zbatimit të reformës në drejtësi, duke filluar me pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Ne jemi gati të marrim përgjegjësi të re të, që të çelim negociatat. Sido qoftë qasja e BE, rruga jonë e integrimit do vazhdojë vendosmërisht si e vetmja rrugë për të pasur një vend ku të ardhmen e njerëzve e garantojnë mekanizmat demokratikë. Ecim me vendosmëri për të garantuar të vetmin kusht, zbatimin e vettingut”, tha ai.

Ndërkohë, ai e ka cilësuar si turp për BE-në, faktin që qytetarët e Kosovës nuk lëvizin lirshëm në Europë.

“ Është një turp për BE-në që kosovarët nuk lëvizin lirshëm në Europë. Janë ndaluar që të jenë njësoj në të drejtën për të lëvizur lirisht. Ky ndalim është shprehje e dobësisë që sot manifestohet nga BE-ja, ndërkohë që Kosova, si shteti më i ri i Evropës, ka nevojë të trajtohet njerëzisht. Kosova është kyç për sigurinë e BE-së dhe të Europës si e tërë”, deklaroi Rama.

Më tej, Kryeministri foli edhe për marrëdhëniet me fqinjët: “Kemi dëshirë që bashkë me fqinjët të ndërtojmë, pasi ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Do vijojmë punën që marrëdhëniet tona me fqinjët të karakterizohen nga dialogu i hapur. Është me rëndësi që atmosfera e paqes dhe ndërveprimit të intensifikohet”, e mbylli deklaratën.