Më 7 shtator, të përkujtohet Kushtetuta e Kaçanikut, të mbrohet e Prishtinës

03.09.2018 18:11:54

Nga Muhamet Hamiti

Të premten, më 7 shtator 2018, bëhen 28 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, sepse delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e miratuan në një mbledhje të fshehtë në Kaçanik.
Nga prilli i vitit 2008, Kosova ka Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar nga deputetët e Kosovës në Prishtinë, në kryeqytetin e Prishtinës, me përkrahje vendore dhe ndërkombëtare. Krerët e Kosovës shpesh e kanë quajtur me mburrje ‘kushtetuta më e mirë’ e ndonjë vendi në rajon.
Nëpër vite, edhe mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, janë mbajtur manifestime përkujtimi e nderimi për vlerat e Kushtetutës së Kaçanikut, e cila afirmonte kërkesën e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, e cila u kurorëzua pas një lufte të gjatë politike, në fund edhe me armë.
Do të ishte mirë që të premten e 7 shtatorit sivjet të përkujtohen institucionalisht të dy kushtetutat, të nderohet e para, të afirmohet e mbrohet e dyta. Kjo do të dëshmonte se populli i Kosovës dhe institucionet e tij kanë kulturë demokratike dhe shtetërore.
Nëse dikujt i duket e tepërt ‘mbrojtja’ e Kushtetutës aktuale, le të kujtojë idetë për prekje të integritetit territorial të vendit që janë shfaqur së fundi në kontekst të dialogut me Serbinë, ndonëse për fatin e mirë nuk kanë përkrahje të gjerë në Kosovë.