Me kërkesën e partisë së tij, Ramush Haradinaj shkarkon Fatir Berzatin

05.12.2017 10:24:31

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar zëvendësministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fatir Berzati.

Këtë vendim Haradinaj e ka marr të hënën. Shkarkimi është bërë me kërkesën e partisë nga vjen Fatir Berzati.  Kjo parti ka dhënë emër tjetër për këtë pozitë.

Por, derisa është shkarkuar një zëvendësministër, në Qeverinë e Kosovës është duke vazhduar emërimi i zëvendësministrave.

Hamza Balje është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik pasi kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar nga kjo pozitë Fatir Berzatin,

Ndërsa, Naim Qelaj është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë, Musa Cena zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Fehmi Mujota zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës.

Nga këto emërime numri i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj ka arritur në 67.