Versioni aktual i demarkacionit nuk do të votohet as nga Nisma për Kosovën

05.12.2017 11:21:27

Në ditët e ardhshme Kuvendi pritet ta sjellë në rend dite ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo, versioni aktual i kësaj marrëveshje nuk i ka numrat nga koalicioni qeverisës PAN.

Një ditë më parë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi deklaroi se kjo parti nuk do ta votojë këtë version.

Ndërsa sot, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi i ka thënë  se deputetët e kësaj partie nuk kanë ndryshuar qëndrim.

“Deputetët e Nismës do të votojnë kundër versionit aktual”, ka thënë Sherifi.

Vetëvendosje vazhdon të mbaj qëndrim të njëjtë ndaj këtij versioni, ndërsa LDK është duke e sfiduar kryeministrin Ramush Haradinaj duke thënë se do ta votojnë marrëveshjen nëse kufiri do të jetë në Çakorr dhe Zhlep.

Pas raportimit të djeshëm për demarkacionin me Malin e Zi nga komisioni qeveritar i Haradinajt, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se partia e tij është pro kësaj marrëveshje të nënshkruar në gusht të vitit 2015.

Komisioni qeveritar për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit,  i kryesuar nga ish-deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi raportoi se ka pasur gabime dhe lëshime nga komisioni i kaluar, i udhëhequr nga Murat Meha.