Me Ligjin e ri, shkurtohet paraburgimi për të miturit

Me Ligjin e ri, shkurtohet paraburgimi për të miturit

20.03.2017 16:21:38

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur sot (e hënë) dëgjim publik lidhur me Projekt-Kodin e Drejtësisë për të Mitur, ku u tha që masa e paraburgimit për personat e nën moshën 14 vjeç, do të shkurtohet nga 12 muaj sa është tani, në 6 muaj.

Fillimisht deputeti dhe udhëheqësi i këtij komisioni, Armend Zemaj theksoi se Kodi i Drejtësisë për të Mitur ka përcaktuar që për çdo person nën moshën 14 vjeçare, për të cilin mund të fillohet procedurë gjyqësore, njoftohet organi  kujdestarisë nga policia, pas konsultimeve me prokurorin. Zemaj tha se duke marrë parasysh veprën penale të shkaktuar nga personi i mitur, prokurori i shtetit edhe mund të propozojë ndërmjetësim.

Sa i përket masave dhe dënimeve brenda këtij kodi, Zemaj shtoi se ato shqyrtohen në varësi të vet llojit të veprës penale që shkaktohet, ku masat që shqiptohen ndahen në masa të diversitetit dhe masa edukative. Ndërkaq, lidhur me dënimet që mund të shqiptohen, Zemaj tha se janë paraparë që të jenë këto masa: gjobat, urdhri për punë në dobi të përgjithshme dhe burgimi për të miturit.

“Kohëzgjatja e çfarëdo mase apo dënimi të shqiptuar për të mitur, duhet të përcaktohet me vendim të gjykatës në pajtim me Kodin”, theksoi mes tjerash anëtari i Komisionit, Armend Zemaj, raporton Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.

Gjatë këtij dëgjimi publik u theksua po ashtu se tek i mituri burgosja duhet të ndikojë pozitivisht në të, përmes mbrojtjes, ndihmës dhe mbikëqyrjes për të parandaluar recidivizmin.
Ndërkaq, përfaqësuesi nga Ministria e Drejtësisë, Baki Gimolli, duke arsyetuar këtë projekt-kod para Komisionit, theksoi se arsyeja e këtij ndryshimi është reforma që ka ndodhur në fushën penale dhe harmonizimi, duke përmendur në këtë rast  Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, si dhe të gjeturat nga Raporti i Progresit të KE-së, i cili ka referuar që të merren parasysh rekomandimet e UNICEF-it.

Po ashtu, duke përmendur ndryshimet që kanë ndodhur dhe të cilat kanë avancuar këtë kornizë, Gimolli theksoi se një kapitull i veçantë është paraparë për personat nën 14 vjeç, të cilët bien ndesh me ligjin.

Si një risi tjetër e rëndësishme u përmend edhe rritja e numrit të masave, siç është ajo parandaluese dhe masa e diversitetit.

U sqarua se janë paraparë 16 masa të diversitetit, ndër to edhe vërejtja e policisë, si dhe kontrolli mjekësor. Sipas Gimollit, faza e paraburgimit ka qenë 12 muaj, ndërkaq me ligjin e ri faza e paraburgimit do të jetë gjashtë muaj.

Si një kapitull tjetër i rëndësishëm u theksua se është edhe mbrojtja e viktimave apo dëshmitarëve të fëmijëve në përgjithësi dhe të miturve.

Ndërsa, Fatmire Haliti, nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, theksoi faktin se qëllimi i kodit është shumë i përgjithësuar dhe se kjo çështje duhet të riformulohet, në mënyrë që të jetë me i qartë.

U propozua po ashtu që të specifikohet edhe pjesa tek procedura penale, se në cilat raste mund të zbatohet procedura për të mitur, apo në cilat raste mund të shqiptohet dënimi për të mitur, si dhe u propozua që të rregullohet me specifikisht edhe shqiptimi i vërejtjes policore.

Ndërsa, Ardian Klaiqi, përfaqësues nga zyra e UNICEF-it në Kosovë theksoi se shumica e këtyre ndryshimeve dhe risive që janë paraparë në këtë kod, janë në përputhje me konventën e të drejtave të fëmijëve dhe akteve kryesore që rregullojnë procedurat e të miturve gjatë procesit gjyqësor dhe në përputhje me direktivat e BE-së.

Duke diskutuar lidhur me ndryshimet që ka pësuar ky kod u përmend edhe ndryshimi tek çështja e stërzgjatjes së paraburgimit, gjë e cila është shkurtuar në Kodin e ri. Po ashtu, Klaiqi theksoi se është rregulluar edhe çështja e  viktimave dhe dëshmitarëve.

Në këtë diskutim kontribuan edhe përfaqësues të OSBE-së dhe të Avokatit të Popullit, duke paraqitur disa propozime shtesë.

Në fund të këtij dëgjimi publik, anëtarët e Komisionit vlerësuan se grupi i punës gjatë shqyrtimit të këtij projekt-kodi të drejtësisë për të mitur, do t’i marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet të cilat u paraqitën gjatë këtij takimi dhe se do ta përfundojnë shqyrtimin e këtij Kodi në një afat sa më të shkurtër për ta proceduar atë për lexim të dytë në Kuvend.