Me ndërhyrjen e Ramush Haradinaj sot kaloi një projektligj në Kuvend

10.03.2017 11:56:42

Ndërhyrja e Ramush Haradinaj nga Franca ka mundësuar që të votohet një projektligj në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për Ratifikimin e Protokollit Financiar midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës, dhe të Marrëveshjes për Hua për zbatimin e Protokollit Financiar ndërmjet Ministrisë së Financave së Republikës së Kosovës dhe NATIXIS,është hedhur dy herë në votim sot.

Herën e parë nuk mori votat e mjaftueshme pasi votat kundër i dhanë deputetët e AAK-së.

Por, pas një bisede që pati shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj me shefin e tij të partisë Ramush Haradinaj, me insistimin e tij, deputetët  ndryshuan qëndrim.

“Posa fola me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili na përshëndet të gjithëve këtu. Ai më tha që pavarësisht se çfarë ndodh më të, ta votojmë marrëveshjen me Francën, sepse ai është për qytetarët e Kosovës”, tha Lekaj.

Pas kërkesës së Lekajt, kryesuesi i seancës futi përsëri në votim këtë projektligj, i cili mori 84 vota për, meqë pro votuan edhe deputetët e AAK-së.