Nexhat Daci nuk e ka gajlen e pasojave që ka Kosova nga miratimi i projektligjit për FSK-në, por ka gajlen e Hashim Thaçit

10.03.2017 12:06:56

Nga Rexhep Kastrati

1

Në morinë e njerëzve që po shprehen për çështjen e projektligjit për FSK-në, nuk ka munguar as Nexhat Daci, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njeriu që kontribuoi që të vinte Hashim Thaçi dhe PDK në pushtet.

Dhe në ato që ka thënë Nexhat Daci bie në sy keqardhja e tij se kjo çështje mund t’i kushtojë Hashim Thaçit, e që në fakt e bën vetë Nexhat Dacin për keqardhje. Është kështu për faktin se atij nuk i erdhi keq fare kur për inate mediokre dhe si një naks i fandaksur ia nguli thikën mbas shpine LDK-së dhe në kohën e hutisë dhe mërzisë kolektive nga vdekja e presidentit Rugova, e çau dhe përçau për ta sjellë në pushtet Hashim Thaçin dhe PDK-në.

Njeriu që i kishte vënë kusht presidentit Rugova se o bënte koalicion me AAK-në e Ramushit, o do të tërhiqej nga funksioni i i kryetarit të Kuvendit, njeriu që edhe kryetarit të LDK-së dhe tash kryeministër i Kosovës, ia kishte kushtëzuar bashkëpunimin parazgjedhor me kushtin që në rast fitoreje, të ishte Ramush Haradinaj kryeministër, njeriu që kishte lartësuar Ramushin, e pastaj edhe Hashim Thaçin, Nexhat Daci ka keqardhje për Hashim Thaçin se po i kushtoka çështja e këtij projektligji!

2

Mirëpo, Nexhat Daci duket nuk e ka të qartë se Hashim Thaçi i ka menduar të gjitha për një kohë më të gjatë, dhe ka pasur parasysh edhe pasojat eventuale që mund të ketë nëse ndërmerr hapa të tillë pa u bashkërenduar me SHBA-të dhe NATO-n, por ai ka vlerësuar se një ndërmarrje e këtillë, do të hahej si pilafi për djathë nga populli, dhe do të krijohej percepimi për të si një patriot i pakompromis për vendin. Dhe në kontekst të provokimeve të vazhdueshme për të çuar vendin në zgjedhje, në rast se ky projektligj nuk do të votohej nga LDK, për shkak se nuk është i bashkërenduar me SHBA-të dhe NATO-n, mund të ketë llogaritur në vota për PDK-në, kurse në kushtet e votimit edhe nga LDK dhe të miratimit të këtij projektligji, atëherë pasojat do t’i bartte edhe vetë LDK. Pra do të kishte një shpërndarje të pasojave.

Në anën tjetër, Haxhim Thaçi mund të ketë llogaritur se më mirë të ketë pasoja të caktuara që sipas tij mund të jenë më të vogla, sesa fillimi i funksionalizimit të Gjykatës speciale që do të kishte pasoja për të, për bashkëpunëtorë të tij dhe për persoanlitete të fuqishme brenda partisë së tij.

Pra, Nexhat Daci do të duhej ta kuptonte se afrimi i funksionalizimit të Gjykatës speciale dhe dështimet një pas njëshme për rrëzimin e Qeverisë dhe shtyrjen e funskionalizimit të Gjykatës speciale, ka krijuar pasiguri dhe hallakamë brenda PDK-së. Kjo do të thotë se hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po synojnë ta çojnë vendin në zgjedhje para se të fillojë punën Gjykata speciale.

Dhe nuk është vetëm fakti se fillimi i punës së Gjykatës speciale do të pasohet me arrestime të personaliteteve të fuqishme të PDK-së dhe të partive të tjera si ajo, por edhefakti se këto arrestime do të bëhen me angazhimet institucionale të hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit. Dhe pasojat e gjithë këtyre mund të jenë më të rënda sesa pasojat që ka procedimi i ligjit për FSK-në, e që në fund të fundit, janë pasoja që do t’i bartë Kosova dhe qytetarët e saj.

3

Po ashtu, Nexhat Daci nuk e ka parasysh faktin se njeriu që ka përgjegjësinë kryesore politike për ndarjen e Kosovës mbi baza etnike, për konsolidimin, legjitimimin, legalizimin dhe zyrtarizimin e kësaj ndarjeje, njeriu që ka përgjegjësinë kryesore politike për vrasjet politike dhe për një mendësi dhe praktikë përçarëse politike dhe ushtarake të shqiptarëve të Kosovës, njeriu që gjatë tërë këtyre viteve është shquar për veprime dhe anagzhime që kanë thelluar ndarjen etnike dhe mospajtimet brendashqiptare, njeriu që ka pranuar se është takuar me Boris Tadiqin para shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008, dhe që është bërë publike seria e bisedave telefonike që ka zhvilluar me Vuçiqin, nuk mund të shmanget nga anagzhimet për ta përmbyllur procesin e ndarjes etnike të Kosovës qoftë me një “Republika Srspka” në Kosovë, qoftë edhe me ndarjen e Kosovës. Dhe procedimi i projektligjit për FSK-në është hapi më i madh që Hashimi bën në këtë drejtim, pas ndarjes së Kosovës në baza etnike më 1999.

4

Dhe në fund, Nexhat Daci bën po atë gabim që po e bëjnë edhe shumë të tjerë: po e ngatërron çështjen e ushtrisë së Kosovës me projektligjin e hahsim Thaçit për FSK-në. Në fakt, çështja e ushtrisë së Kosovës është çështje tjetër, është çështje e të drejtës që ka Kosova për ta pasur ushtrinë e saj, është çështje e transformimit të FSK-së në FA, proces që ka mbështetjen e të gjitha partive politike, pos listës “Srpska”, ka mbështetjen e SHBA-ve, të NATO-s dhe të aleatëve të tjerë strategjikë.

Dhe ky është procesi i transfomimit të FSK-së në FA, pra është proces i filluar që nga transfomimi i UÇK-së në TMK dhe i TMK-së në FSK, e që është duke u zhvilluar si proces në trasnformimin në FA. Dhe gjithë ky proces ka filluar dhe ka vazhduar, e është duke vazhduar në bashkërendim të plotë me SHBA-të dhe NATO-n. Nëdrkaq, projektligji për FSK-në i proceduar nga Hashim Thaçi nuk e përfill fare faktin se çështja e ushtrisë së Kosovës është çështje e transfomimit të FSK-së në FA, në bashkërendim me SHBA-të dhe me NATO-n, dhe vetëm si i tillë mund të realizohet suksesshëm, por ndërmerr një veprim procedural më shumë populist dhe në kundërshtim me gjithë rrjedhën e gjertanishme të këtij procesi.

Me këtë projektligj, Hashim Thaçi e ndërpret këtë proces dhe çështjen e ushtrisë e bën çështje personale, partiake dhe një proces të ndryshëm nga procesi i gjertanishëm. Së këndejmi, edhe të jesh kundër këtij projektligji nuk do të thotë se je kundër ushtrisë së Kosovës, por je kundër manipulimit të kësaj çështje për arsye pesonale apo edhe partiake, të jesh kundër veprimeve që bëhen në kundërshtim me një bashkërendim dhe bashkëpunim me SHBA-të dhe me NATO-n.

5

Si ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci do të duhej që këtë çështje ta trajtonte me realizëm, dhe të vinte theksin te fakti se sikurse gjithë procesi i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë ka qenë dhe vazhdon të jetë një proces i përbashkët me SHBA-të dhe aleatët tjerë strategjikë, edhe çështja e transfomimit të FSK-së në FA është një proces i përbashkët me ta. Dhe së këndejmi do të duhej të theksonte se duhet me vendosmëri dhe me përkushtim që procesi i shndërrimit të FSK-së në FA të përmbyllet bashkë me SHBA-të dhe me NATO-n, e jo në kundërshtim me qëdrimin e qartë dhe të prerë të tyre. Dhe në këtë kontekst do të duhej të inkurajonte institucionet e shtetit, pra edhe kryeministrin Mustafa, Qeverinë dhe forcat politike që të angazhohen në një proces të gjerë konsultimesh dhe bashkërendimesh me SHBA-të dhe me NATO-n, në mënyrë që edhe Kosova të ketë ushtirnë, edhe të ketë mbështetjen për forcimin e saj, edhe të ruajë aleancën me demokracinë perëndimore.