Më në fund në Kosovë protestohet për 1 Maj, BSPK u bën thirrje të gjithë punëtorëve

27.04.2018 17:12:04

Për ditën e punëtore, 1 Maj, këtë vit është paralajmëruar protestë masive nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
BSPK-ja bën thirrje që në këtë protestë të marrin pjesë të gjithë punëtorët e Kosovës, qoftë ata të sektorit privat por edhe ata të sektorit publik.

Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, fton që të gjithë punëtorët në Kosovë të dalin në këtë protestë që të parashtrojnë kërkesat e tyre.

“Të gjithë kemi arsye të dalim në protestë masive që t’i parashtrojmë kërkesat tona në bazë të ligjit dhe marrëveshjes kolektive dhe konventave ndërkombëtare”, tha Ajdini për lajmi.net.

Ndër arsyet kryesorë që përmend Ajdini janë sigurimi shëndetësor, siguria në punë, njohja e përvojës së punës për vitet ’90-’99 dhe aprovimin i pagës minimale.

I këtij mendimi është edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi i cili thotë se përmes kësaj proteste punëtorët do të shprehin mllefin e tyre për mosimplementimin e ligjit të punës të marrëveshjes kolektive, ligjit mbi sigurinë në punë dhe shumë marrëveshjeve tjera kontraktuale me Qeverinë e Kosovës duke filluar nga rritja e pagave minimale dhe zbritja e stazhit të punës nga 15 në 10 vjet.

“Punëtorët duke parë mosseriozitetin e Qeverisë dhe institucioneve tjera kanë shpreh vullnetin që këto pakënaqësi t’i shprehin më 1 Maj, ditën kur ndoshta në një far forme është dashtë të festojmë, por gjendja jonë nuk lejon të festojmë. Përkundrazi, sikur në të gjitha vendet e botës do të protestojmë për kushtet të cilat nuk i ofron organi kompetent”, tha Azemi për lajmi.net.

Po ashtu, ai theksoi që arsyeja pse protestohet është rezultat i mosimplementimi i kërkesave edhe më bazike pa presion sindikal ose presion të punëtorëve.

“Jam i vetëdijshëm që të gjitha ato kërkesa që do t’i parashtrojmë para qeverisë dhe para opinionit kosovar nuk do të aprovohen. Por mjafton që se paku ta shohim a po merren seriozisht edhe gjërat më elementare si nënshkrimin e pagës minimale për të cilën të gjithë akterët kryesorë janë marrë vesh që të jetë 250 euro”, tha tutje Azemi.

Sipas tij në një far forme Qeverisë së Kosovës po i konvenon kjo gjendje, sepse në këtë formë pronarët e kompanive kanë përfitime më të mëdha dhe nga këta pronarë të kompanive Qeveria ose individ të caktuar po marrin para të majme, andaj edhe e injorojnë këtë kërkesë.

“Nëse dikush në këtë kontinent ka arsye për të protestuar atëherë janë punëtorët e Kosovës, pasi janë në nivelin më të ulët të pagave dhe në nivelin më të ultë të sigurisë dhe shëndetit në punë”, përfundoi Azemi.

Edhe KMDLNJ e përkrahë këtë protestë nëse është paqësore dhe nuk eskalon në dhunë.

Behgjet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se punëtorët në Kosovë nuk kanë asnjë arsye të festojnë por duhet të protestojnë duke kërkuar të drejtat që u janë mohuar. Ai thekson se duhet të ketë një manifestin që i detyron institucionet t’i përmbahen konventave për të drejtat e punëtorëve dhe ku do të kërkohet zbatimi i ligjit për punë.

Ndër të tjera thotë se sidomos punëtorët e sektorit privat janë tërësisht të pambrojtur, të degraduar në punën ku punojnë dhe nuk janë aspak të sigurt.

“Andaj punëtorët e Kosovës duhet të jenë më 1 maj, ta ngrijnë zërin fuqishëm duke parakaluar si shenjë e mospajtimit me politikat që bëhen ndaj tyre. Të jetë një zë i fuqishëm në kërkimin e të drejtave të tyre që u takojnë dhe u janë mohuar”, përfundoi Shala.