Më shumë se 300 civilë të vrarë në tre javë luftime në Alepo

20.08.2016 18:11:48

Më shumë se 300 civilë janë vrarë në tre javë luftime mes regjimit dhe kryengritësve për të kontrolluar Alepon, qyteti i dytë më i madh në Siri, sipas Observatorit Sirian të të Drejtave të Njeriut (OSDH).

Luftimet për kontrollimin e qytetit të dytë më të madh në vend kanë shkaktuar vdekjen e 333 civilëve që prej 31 korrikut, kur rebelët filluan një ofensivë të gjerë për të thyer rrethimin e imponuar nga regjimi në lagjet në lindje të Alepos nën kontrollin e kryengritësve.

Sipas këtij bilanci, 165 civilë  mes të cilëve 49 fëmijë, kanë humbur jetën nga bombardimet rebele në lagjet qeveritare që ndodhen në perëndim të qytetit.  Nga ana tjetër, 168 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe aleatëve të tij, thekson OSDH-ja. Ndërsa 109 civilë të tjerë janë vrarë në pjesët e tjera të qytetit.