Mehana: Më kërkuan fajde edhe pas vdekjes së vëllezërve

16.09.2016 23:19:53

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin për funksionimin e sistemit të fajdeve në një rast në Mitrovicë dhe pasojat e fajdeve në familjen Mehana.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar hulumtimin mbi tragjedinë e familjes Mehana nga Mitrovica e cila humbi dy djemtë e saj, Muratin dhe Petritin, për shkak të fajdeve.

Pesë vjet pas ngjarjes tragjike, vëllai i tyre Afrimi rrëfen shifra që sipas tij dy vëllezërit e tij u detyruan të paguajnë në emër të fajdeve.

Afrim Mehana tha për “Drejtësia në Kosovë” se në kohën kur ka qenë bashkë me vëllezërit i kanë pasur punët shumë mirë dhe së kanë punuar së bashku si pronarë të një firme ndërtimi.

“Kur kemi qenë bashkë me vëllezër punët i kemi pas shumë mirë përpara se me u marrë me këto punët e fëlliqura me fajdexhinj. Kur na kanë shti si kallëp dhe rasti jonë është pak specifik sepse direkt pare me fajde nuk kanë marrë po kanë filluar tu i dhanë kerre edhe kur nuk ka mujt me pagu shumën komplet ia ka ofru gjysmën e shumës. Ata gjysmën nuk e kane marrë edhe kanë fillu fajdet”, tha Afrim Mehana duke treguar një kronologji të rritjes së kamatës në formë të fajdes.

“Fajdet kanë qenë prej 10 përqind deri ne 100 përqind. Me përmend me shuma është shumë problem se aty kanë hy njëherë një pastaj janë ba edhe te tjerë edhe qashtu kanë qenë te organizum këta ish të akuzuarit. Për 10 ose 15 mijë euro vëllai im ka paguar shumën prej 100 deri në 200 mijë eurosh”, shtoi ai.

Mehana ka treguar se edhe pas vdekjes së dy vëllezërve, personat që një kohë ishin akuzuar për shtytje në vdekjen e dy vëllezërve e kishin takuar për t’i kërkuar para.