Mehmeti: Tre pacientë me COVID-19 po trajtohen në Pulmologji, s’ka rrezik për pacientët e tjerë

23.06.2020 22:07:39

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Rukie Mehmeti ka folur për situatën në këtë klinikë pas shtrimit të disa rasteve me COVID-19.

Mehmeti për RTV Dukagjinin ka thënë se tashmë në këtë klinikë janë tre pacientë që janë pozitiv me coronavirus.

“Nëse në Klinikën Infektive lirohet vendet ata pacientë transferohen në Klinikën Infektive”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë thotë se nuk ka rrezik që pacientët me COVID-19 të përzihen me pacientët tjerë që kanë probleme tjera me mushkri.

“Klinika është e ndarë në kate dhe nuk ka rrezik për përzierje të pacientëve”.

Mehmeti thotë se momentalisht ka shtretër të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve me coronavirus.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë ka thënë se e ardhmja e COVID-19 në Kosovë varet vetëm prej përgjegjshmërisë së qytetarëve.