Memli Krasniqi tregoi se çka e shkaktoi rënien e PDK-së

05.07.2017 21:54:28

Koalicioni PAN fitoi zgjedhjet dhe pret që ta formojë Qeverinë, por Partia Demokratike pati rënie, nëse krahasohet me zgjedhjet e 2014-ës kur kishte siguruar 14 vende më shumë në Kuvend. Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK’së, në emisionin Komiteti, tregon se si i panë rezultatet e zgjedhjeve kjo parti.

Se kanë pasur rënie të numrit të votave, gjë që është e dukshme, nuk e mohon as Krasniqi, por ai thotë se kjo parti ka reflektuar menjëherë pas zgjedhjeve.

Madje, edhe ndarja e pozitave qeveritare, sipas nënkryetarit të PDK-së, nuk është diskutuar akoma, kjo për shkak të fokusit të tyre në gjendjen e partisë, pas 11 qershorit.

Formimi i një koalicioni të paparitur parazgjedhor, sipas Krasniqit, ka qenë e ditur se kjo do t’u kushtojë partive individualisht.

Krijimi i PAN’it, lejoi që partitë të përfshijnë një numër të vogël të kandidatëve nga secila, dhe si rrjedhojë, lënia jashtë e personave të rëndësishëm ka ndikuar edhe në rënien e votave që ata mund të sillnin.

Krasniqi përmend edhe koalicionin qeverisës që kishin me Lidhjen Demokratike, dhe qeverisjen e Isa Mustafës, që në fakt nga PDK shihet si keqqeverisje, si një nga arsyet e zbehjes së përkrahjes për partinë që për 10 vjet doli e para në të gjitha zgjedhjet.