Mentaliteti nështrues i shqiptarēve s’e duron lirinë

05.03.2020 22:08:39

Nga Fadil Maloku

1. Shoqëritë gjithandej shqiptare, prej filleve të erërave të demokratizimit janë infektuar aq shumë me zvetënimin e rolit të qytetarit, sa që sot pas gati dy dekadave të testimit të vetvetes për (pa)pjekurinë e tyre, kanë ardhur në një pozicion, sa absurd (sepse, janë bindur gabimisht, se janë në rrugë të duhur), aq edhe naiv (sepse, kanë investuar më shumë në formë; legjislacion e norma kushtetuese, se sa në përmbajtje, pra, në; edukim dhe arsimim të qytetarit). Ky keqkuptim, i fuqizuar me aplikativitet masiv ka prodhuar një “fotosintezë” të deformuar dhe improvizuese sociale, për demokracinë dhe raportet demokratike brenda sistemit vleror mbindërtues shqiptar. I gjithë ky deformitet i (pa)vetëdijshëm, dy dekadash është “ushqyer” dhe mbërthyer nga shumë faktorë tjerë të jashtëm të përcaktuar nga kultura masive, arti masiv, politika masive, tjetërsimi masiv, vetëkënaqësia masive, hedonizmi masiv, kriminaliteti masiv, korrupsioni masiv, etj.