Mesazhi i Donald Lu: Nuk iki nga Shqipëria pa vënë drejtësi!

06.05.2018 23:11:16

Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu ishte i ftuar special mbrëmjen e sotme në “Portokalli”. Mesazhi i parë i përcjellë prej tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ishte shqip, e po aq “shqip e troç” ka folur përgjatë gjithë detyrës së ushtruar në Shqipëri.

Mes batutave edhe të aktorëve të “Portokallisë”, Donald Lu e tha sërish troç. Ai iu drejtua aktorëve, që ishin në rolin e liderëve politik në vend, duke u thënë: “Gjithmonë shisni gjërat e gabuara për njerëzit”. Ndërkohë, publiku thërriste: “Peshkun e Madh”. “Na doli mjekra duke pritur, o burrë!”, iu drejtua Ambasadori Lu “Edi Ramës”.

Mes humorit dhe seriozitetit, duke parë këmbënguljen e tij gjatë deklaratave në forume apo konferenca të ndryshme, Lu bëri një premtim “Këtu jam edhe pak muaj, por nuk iki nga Shqipëria pa vnë drejtësi”.

Një mesazh i qartë për politikën shqiptare, e cila ka nisur një reformim në fushën e drejtësisë, me nisjen e Vettingut dhe paralajmërimet për arrestimin e zyrtarëve, funksionafrëve publikë dhe deputetëve të Kuvendit.