Mesazhi i Isa Mustafës në Ditën e Evropës: Kosovarët, të vetmit të diskriminua

09.05.2020 09:10:22

Me rastin e Ditës së Evropës – 9 Maj, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova është i vetmi vend pa liberalizim të vizave dhe ne shprehim bindjen që BE-ja sa më shpejt ta marrë një vendim pozitiv që kosovarët të mos mbesim të vetmit të diskriminuar jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në tërë Evropën.

Në një komunikatë për media, Mustafa thotë se “Dita e Evropës shënon një ndër momentet më të rëndësishme të vendosjes së paqes në Evropën e trazuar nga luftërat ndër shekuj”.

“Më 9 Maj 1950, Robert Schumann vendosi themelet e bashkëpunimit ndërshtetëror, fillimisht si projekt ekonomik për tu shndërruar më vonë në nivelin e bashkëpunimit politik, kulturor, shoqëror dhe fusha tjera”, ka thënë Mustafa.

Më tej ai ka thënë se “BE-ja është storie e suksesit që i dha Evropës jo vetëm një paqe afatgjate por edhe një prosperim dhe mirëqenie ekonomike shteteve anëtare”.

“Kosova i është mirënjohëse BE-së për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë shtetit tonë në proceset shtetformuese. Kjo u rezultua edhe në kohën kur ne e nënshkruam MSA-në që deri më tani është kontrata dhe bashkëpunimi në nivelin më të lartë me BE-në”.

“Rruga evropiane e Kosovës është shumë e qartë, ajo synon anëtarësimin në familjen e madhe evropiane. Aktualisht Kosova është i vetmi vend pa liberalizim të vizave dhe ne shprehim bindjen që BE-ja sa më shpejt ta marrë një vendim pozitiv që kosovarët të mos mbesim të vetmit të diskriminuar jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në tërë Evropën. Qytetarët dhe të rinjtë tonë besojnë dhe ndajnë të njëjtat vlera të cilat Bashkimi Evropian i ka kultivuar për tërë këto vite”, ka thënë Mustafa