Mësimdhënësit trajnohen për shkrim dhe lexim të alfabetit Braille (Video)

13.07.2018 20:05:08

Në qendrën burimore “Xheladin Deda” në Pejë është mbajtur trajnim që mësimdhënësit të dinë të punojnë me alfabetin Braille .

Ky trajnim është organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës.

Njëra prej të trajnuarave është Shqipe Avdiu nga Gjilani, e cila thotë njohuritë e tilla janë të nevojshme për çdo mësimdhënës, ngase gjithmonë ka nxënës që kanë problem me shikueshmërinë.

“Ky shkrim ka qenë gjithmonë i nevojshëm nga ana e mësimdhënësve, sepse çdo vit hasim fëmijë që kanë problem me shikimin ose nuk kanë shikim fare. Mësuam mësimin e Braille në gjashtë pika, ku gjatë trajnimit katër ditor ne mësuam shkrimin e tij dhe leximin në këtë gjuhë”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, mësimdhënësja Shqipe Avdiu.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Fuqizimi i fëmijëve të verbër përmes shërbimeve profesionale”, organizuar nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, i përkrahur nga organizata “Save the children” dhe komisioni evropian.

Mexhid Foniqi, menaxher i projektit ka thënë se synojnë sensibilizimin e shkrimit Braille për fëmijët e verbër apo probleme në të parë.

“Ky projekt ka qenë pilot në katër komuna, Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, ku nga katër mësimdhënës janë përfshirë nga drejtoritë komunale, të cilët nesër do të kenë fëmijë me shikim të dobësuar apo të verbër për t’i edukuar”, ka thënë menaxheri i projektit Mexhid Foniqi.

Foniqi ka thënë se pjesë e këtij projekti është edhe furnizimi me materiale përkatëse për këtë alfabet në shkolla të rregullta, gjatë vitit të ri akademik 2018-2019.