Shpendi ‘ikë’ nga Raporti i Auditimit

21.12.2016 12:57:23

Tridhjetë e pesë rekomandime ia ka dhënë Komunës së Prishtinës, Zyra e Auditorit Gjeneral. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka dërguar në asamble për diskutim Raportin e Auditorit Gjeneral për vitin 2015, ndërkohë që vetë nuk ka shkuar në mbledhjen e cila është mbajtur të mërkurën. Mungesën e Ahmetit, opozita e ka parë si ikje nga përgjegjësia dhe ka vendosur që të mos diskutojë për raportin deri sa kryetari të mos jetë prezent në sallë.

Asambleja e Prishtinës është duke e mbajtur mbledhjen e nëntë të rregullt. Pikë e rendit të ditës ka qenë edhe Raporti i Auditorit Gjeneral. Por, me kërkesë të asambleistit të PDK-së, Shemsi  Veseli, kjo pikë është shtyrë për një mbledhje tjetër, pasi që ka munguar kryetari dhe nënkryetari i Komunës.

“Pasi që nuk janë kryetari as nënkryetari nuk ka kuptim që të diskutohet për Raportin e auditorit, kur dihet se rekomandimet janë dhënë për kryetarin. Mungesa e kryetarit dhe nënkryetari tregon për një mostransparencë të ekzekutivit për tu përballur me këto të gjetura”, ka thënë Veseli, shkruan lajmi.net

Edhe shefi i grupit të LDKJ-së, Agim Gashi ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet për një mbledhje tjetër.  “Nëse në ndërkohë vjen kryetari ne mund t’i kthehemi kësaj pike, në të kundërtën kërkojmë që të shtyhet”.

Kryetari i Kuvendit, Halim Halimi ka thënë se kryetari e ka dërguar përfaqësuesin e tij për këtë çështje, auditorin Osman Bllaca.

Lirak Çelaj, Shefi i grupit parlamentare të PDK-së, ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për mbledhjen e ardhshme, pasi siç ka thënë ai, “Kuvendi nuk mund të procedojë mbi vullnetin e kryetarit don apo nuk don të shkojë në asamble”.

Në fund, me shumicë të votave u vendos që kjo pikë të shtyhet për një mbledhje ku do të jetë prezent edhe kryetari ose nënkryetari i Komunës.

Ndryshe, Auditori ka gjetur që  “Ndërtimi i rrugëve dhe kanalizimit për lagjen Arbëria” dhe “Ndërtimi i rrugëve dhe kanalizimit për lagjen Arbëria dhe Qemal Stafa”, komuna ka filluar procedurat e prokurimit pa plan detal të ndërtimit, në kundërshtim me nenin 4 të UA 01/2014 të KRPP, që përcakton se autoriteti kontraktues përgjegjës për hartimin e projektit ekzekutiv cili në mënyrë mandatore duhet t’i bashkëngjitet specifikacionit teknik të dosjes së tenderit.

Një ndër të gjeturat më të mëdha që ka bërë edhe bujë të madhe kanë qenë kontratat mbi vepër, pasi që gjatë këtij viti ishin angazhuar 276 zyrtarë (siguruar nga regjistri i furnitorëve) të cilët janë paguar në vlerë prej 463,849 euro, me kontrata për shërbime të veçanta. Prej tyre, 31 janë angazhuar në një projekt në mes komunës dhe HELVETAS dhe 53 punojnë në kuzhina dhe shërbim të ushqimit për institucionet parashkollore, kurse pjesa tjetër prej 192 është e angazhuar në programet e përhershme të punës si ofiqarë, inspektorë, zyrtarë të lartë, regjistrues, anketues etj pa ndonjë procedurë të rekrutimit apo prokurimit.

“Punësimi i tyre është bërë në kundërshtim me nenin 31 dhe 35 të Rregullores për shpenzimin e parasë publike 01/2013, pasi që nuk ka dëshmi se komuna ka plotësuar formularin i cili specifikon se është zhvilluar testi i marrëdhënies së punës dhe dëshmi mbi përzgjedhjen e tyre sipas procedurave të zakonshme të prokurimit. Gjithashtu, dosjeve iu mungojnë dëshmitë për pagesën e obligimit ndaj ATK-së, deri në fund të vitit, kur komuna ka filluar ketë obligim ta proceson direkt në llogarinë e ATK-së”, kishe konstatuar Auditori.

E gjetur ishte edhe kontraktim i dyfishtë i punëve.

“Në dy raste për “Ndërtimin e rrugës Koliq – Keqekollë”- 245,166€, dhe “Ndërtimin e bulevardit mbi kurriz”- 977,726€, komuna kishte lidhur kontratë ku ishte përfshirë edhe pozicioni për hartimin e projektit pas ekzekutimit. Në këtë mënyrë ishte bërë kontraktim të dyfishtë për këtë shërbim, pasi që komuna kishte bërë hartimin e këtyre projekteve para fillimit të procedurës së ekzekutimit. Komuna ka bërë pagesën sipas këtij pozicioni për rrugën Koliq – Keqekollë në vlerë 1,233€ duke shkaktuar shpenzim të dyfishtë, ndërsa kontrata për projektin tjetër ende nuk është finalizuar”, thuhet nw raport.

“Kontraktimi shërbimeve për pozicione të kryera rezulton me pagesa të dyfishta për të njëjtin shërbim, duke shkaktuar shpenzime të parregullta të parasë publike dhe dëmtim të buxhetit komunal”, kishte shfaqur rrezikun auditori.

Auditori për Komunën e Prishtinës ka dhënë 35 rekomandime. Nga to 25 të rrezikshme, dhe 15 të rrezikut të mesëm.