Mësuesi kundër nxënësit, sy e veshë nga klasikja e Europës (Foto)

12.04.2017 10:08:00

Pas derbit, Real Madridi përballet në klasiken e Europës me Bayern Munich, në Champions. Kalendari i prillit, i muajit të luleve, ka rezervuar sfida të tilla, që do të tregojnë nëse Zidane dhe të tijtë do të rriten, apo do të thahen. Carlo Ancelotti luan kundër së shkuarës, trajneri kundër zëvendësit të tij, nëse marrim “fotografimin” e të dyve bashkë në “Bernabeu”, ustai kundër “çirakut” të djeshëm, me italianin, që konsiderohet një ndër komponentët ekstra për avancimin bavarez. Kjo, për shkak se e njeh mjaft mirë kundërshtarin. “Los Blancos”, nga ana tjetër, ndiejnë presionin e dy “armiqve” të tyre më të këqinj, Bayern Munich në Ligën e Kampionëve dhe Barcelona në La Liga.

Dy stile dhe dy filozofi historikisht të ndryshme të konceptimit të futbollit do të përplasen sonte në “Allianz Arena”, ku dora e mësuesit Carlo dhe e nxënësit “Zizou” do të mundohet të dirigjojë drejt suksesit talentin e lojtarëve që kanë. Gjithçka është e hapur në këtë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kuptohet, kampionët gjermanë duan ta shfrytëzojnë këtë klasike kontinentale për t’u përballur me etjen për hakmarrje, pas poshtërimit që u bënë madrilenët në përplasjen e fundit (0-4) në stadiumin bavarez. Përveç kësaj, Ancelotti ka llogaritë e tij të jashtëzakonshme me Florentino Perez, i cili e largoi italianin, edhe pse i suksesshëm në “Bernabeu”. Moduli i lojës është identik për të dyja skuadrat, me referencë 4-3-3. Prioritet janë kundërsulmet dhe posedimi e qarkullimi i topit në mesfushë. Objektivi kryesor është gjetja e golit, si rruga e drejtpërdrejtë për fitore.

Të dy trajnerët i kanë 11-shet e tyre fillestare të qarta, pavarësisht nivelit të lartë të lojtarëve, që kanë në urdhërat e tyre. Problemi është a janë të gjithë të gatshëm fizikisht. Ancelotti ka humbur nga dëmtimi mbrojtësin qendror, Hummels, ndërsa duket në dyshim Lewandowski, pas problemeve në sup. Pjesëmarrja e tij do të mbetet e panjohur deri para ndeshjes. Neuer është shëruar, ndërsa Müller po e lë pas lëndimin. Kjo ndeshje është e ndikuar sadopak nga sulmet e mbrëmshme ndaj autobusit të Dortmundit. Policia gjermane ka përforcuar sigurinë e hotelit, ku ndodhet ekipi madrilen, për të parandaluar sulme të mundshme. Loja është me rrezik të lartë, çka krijon tension dhe pasiguri në mesin e “ekspeditës së bardhë”. Sidoqoftë, në Gjermani vigjilenca është totale. /telesport.al/