Meta: Bashkëjetesa politike, të marrë shembull nga ajo fetare

23.08.2016 16:48:34

Modeli i bashkëjetësës politike në Shqipëri vazhdon të jetë një problem, të cilin kreu i Parlamentit e ka cilësuar si “të panevojshëm”. Ilir Meta i bën thirrje politikës që të gjejë gjuhën e përbashkët dhe apelin e lëshon nga Jali, ku ka përuruar hapjen e kampingut të LRI-së për këtë sezon.

“Problemin më të madh e kemi te bashkëjetesa politike, sepse u bënë 26 vjet dhe vendi ende ka një konflikt të tepërt dhe të panevojshëm politik aq më tepër jo për çështjet më substanciale”.

Meta ka theksuar se bashkëjetesa fetare, ndryshe nga ajo politike, është për t’u marrë shembull.

“Ne jemi një model bashkëjetese brenda vendit tonë, i harmonisë fetare, por edhe këtë nuk duhet ta mendojmë se do ta kemi gjithmonë në rast se nuk jemi të kujdesshëm dhe nuk vazhdojmë ta kultivojmë e mbrojmë këtë bashkëjetesë nga çdo tendencë për të krijuar konflikte”.

Meta foli para të rinjve të LRI-së edhe për përgjegjësitë që ka Europa për të ardhmen e njerëzimit dhe u ndal edhe te çështja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

“Britania e Madhe doli nga Bashkimi Evropian. Para 20 vjetësh kjo nuk mendohej, por as edhe përpara një viti. Edhe vetë Cameron-i nuk e mendonte, sepse po ta kishte menduar nuk do ta kishte bërë premtimin para zgjedhjeve, që do të shkohej në referendum për të qëndruar apo jo në BE”.