Meta nga Peja: Uroj që Kosova të përfitojë liberalizimin e vizave

05.08.2018 20:40:35

Ilir Meta, presidenti i Republikës, vizitoi sot Rugovën e Pejës, ku u mikprit nga Kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri. Gjatë kësaj vizite Meta mori pjesë duke përshëndetur edhe në veprimtarinë tradicionale popullore, kulturore e artistike, “Lojërat tradicionale të Rugovës” të mbajtur në fshatin Stankaj, me praninë e mijëra bashkatdhetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.

Ja përshëndetja e presidentit, Meta: “Uroj që Kosova shumë shpejt do të përfitojë liberalizimin e vizave dhe në këtë mënyrë, të vazhdojë rrugëtimin drejt përparimit, në interes të të gjithë qytetarëve të saj, në mënyrë të veçantë në interes të të rinjve, të cilët duhet ta shohin të ardhmen e tyre në këto troje, në këto alpe. Sepse ne e dimë shumë mirë që as Austria, dhe as Zvicra nuk i kanë alpet më të bukura se ne!.

Por ne duhet të punojmë më shumë që të rinjtë tanë të punojnë këtu dhe këtë bukuri, që natyra u ka dhënë këtyre trojeve, me punën e edukimin e tyre, ta kthejnë në mirëqenie për të gjithë! Urime dhe suksese!”