Metafora, Dhurata, Krizantema/ Vargje nga Sabri Hamiti

25.12.2020 11:21:47
𝐀𝐍𝐍𝐎 𝐃𝐎𝐌𝐈𝐍𝐈 𝐌𝐌𝐗𝐗
METAFORA
Mike fisnike ti zgjohesh e para
në agun e ditës që çilet jetë;
parathotë Hyji: botës s’i humb fara
për sa të ketë dhuratë të vërtetë
Për sa të ketë bekim e dhuratë,
lëng në faqe, me lot të kulluar
mbëltohet bima në tokë të thatë,
rreziku thahet prej gjakut valuar.
Fiket munafiku me gjak zemrak,
Tevona shalohet dhe ati cullak
Thyen ngujoren me qafë në lak.
Me sy në diell njeriu me fletë
dritore hap përmbi shtatëdhjetë.
Anno Domini dy mijë e njëzet.
DHURATA
Mikja edhe më zgjohet më e para
në agun e dritës që thuhet jetë.
Hyji pëshpërit: botës s’i tret fara
për sa të ketë dhuratë të vërtetë.
Për sa të ketë vërtet dhuratë
me lotin kulluar prej syrit që piku
mbëltohet bima në mal të thatë.
nga gjak i valë trembet munafiku.
Fiket munafiku me gjak të valë.
Tevona shalohet ati pa shalë,
Me lak në qafë thyen një ngujore.
Njeriu vetë i bën shtatëdhjetë
më dhjetë maj dy mijë e njëzet
me syrin e diellit që hap dritore.
KRIZANTEMA
Litarin në fyt e pren frymë e valë
Si peng për jetën që luhet me jetë
Prapa me një nip para me një djalë
Ta mund dysinë e heshtjes së qetë
Këpus ligjëratën… bërtima vrastare
Dënesën e fshehur e shohin si krim
Në qiej mjegulluar pa droje fare
Po shkoj fluturim… sa me u ba trim
Falje nuk lypi nuk kam për të falë
Fryti i pjekur pik në kokë si fjalë
Furtunë e nisun me vdekë në det
Në hapësí shurdhe një plagë e gjallë
Kthye në heshtí zemrën e merr mallë
Për krizantemë të verdhë e shkret
FARA E BIMA
[Tingëllima binjake]
1.
Nuk di a t’i shkoj a vdekjen ta pres
Nëse marr hak marr hak tue jetue
Nëse dyshimi si drojë do të vdesë
Për stinë e mote tashma jam gatue
Ti falje nuk lyp e s’ke çka me falë
Për kreshtën e shtrue që tundet në erë
Përpara ke nipin përmbrapa nji djalë
Që tundin vetë flamurin në verë
Me lotin e synit të këputun e shtar
Me lotin e qiellit âmbël të kulluem
Farë bahet bimë në tokë të thatë
Secila luginë anash ka nji mal
Për me lidhë nyje mallin mjerimin
Pa ja matë kurrë kohës amshimin
2.
S’e di a me shkue a vdekje m’e pritë
Nëse merret hak merret tue jetue
Nëse dysia e droja bien në pritë
Për stinë motmote tani jam gatue
Kur falje nuk lyp nuk ke pse me falë
Për kreshtën e thime të tundun në erë
Përpara e mbrapa ke nip e ke djalë
Flamurin e vet e tundin përherë
Loti i synit i këputun e shtar
Loti i qiellit si tambël i kulluem
Lidhin farë e bimë në mal të thatë
Secila luginë në mal rri e varë
Nji nyje lidh shpirtin e munduem
Kur lyp amshimin me e matë.
Image may contain: flower and text